Shqipëria

Kryediplomatja gjermane: Vendet e Ballkanit Perëndimor i përkasin plotësisht BE-së


Ministrja e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock.

Ministrja e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock, gjatë vizitës së saj këtë të marte në Slloveni, ka thënë se vendet e Ballkanit Perëndimor – Kosova, Shqipëria, Bosnje e Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia – i përkasin Bashkimit Evropian (BE), derisa ka shtuar se synimi i shtetit që ajo përfaqëson është forcimi i BE-së, ku do të përfshihen dhe vendet e rajonit.

“Në një botë ku krizat dhe konfliktet mbivendosen në fqinjësinë e afërt të Evropës, ne kemi nevojë për një BE që do të veprojë shpejt dhe me vendosmëri nesër dhe pasnesër dhe të mbetet një spirancë sigurie për të gjithë ne në Evropë”, ka thënë Baerbock, transmeton “DeutscheWelle”.

“Gjermania dhe Sllovenia janë të bashkuar për të forcuar Evropën tonë të përbashkët, për ta bërë atë të përshtatshme për të ardhmen dhe për të përfshirë mes nesh vendet e Ballkanit Perëndimor. Për ne, një BE e fortë, ashtu si NATO, është një sigurim i pazëvendësueshëm i jetës në kohë të pasigurta”, shtoi.

Kryediplomatja gjermane ka insistuar se vendet e Ballkanit Perëndimor i përkasin “plotësisht dhe absolutisht” Unionit.

“Këto nuk janë vetëm fjalë boshe. Është në interesin tonë të sigurisë – në Lubjanë, në Berlin dhe në të gjithë Evropën. Për ta arritur këtë, duhet të kryhen reformat e nevojshme në vendet që duan të bëhen pjesë e familjes evropiane. Në të njëjtën kohë, BE-ja duhet ta mbajë fjalën dhe të ndërmarrë hapa në procesin e zgjerimit, kur të plotësohen kushtet”, ka deklaruar ajo.

Sipas ministres së Jashtme gjermane, për shkak të “imperializmit rus në zemër të Evropës”, duke iu referuar agresionit të Federatës Ruse në Ukrainë, BE-ja nuk duhet t’i lejojë vetes “zona gri”.

“Së bashku me Slloveninë, ne po punojmë në reformat e BE-së për të vendosur rrugën për një Union të zgjeruar. Progresi në politikën e zgjerimit dhe reformat e brendshme të BE-së duhet të ecin paralelisht” nënvizoi Baerbock.

Ndryshe, gjashtë (6) vendet e Ballkanit Perëndimor, përkatësisht Shqipëria, Kosova, Bosnja e Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, synojnë anëtarësimin në BE.

Mirëpo, sa i përket procesit të anëtarësimit, atëherë këto vende janë në faza të ndryshme.

BE tashmë po negocion anëtarësimin me Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Shqipërinë, Serbinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, derisa Kosova është një kandidat potencial.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore