Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov, ka pretenduar se Bashkimi Evropian nuk dëshiron dhe “nuk mund ta detyrojë Kosovën” t’i zbatojë marrëveshjet ndërkombëtare, përfshirë atë të vitit 2013 ku parashihet themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
“Për momentin, BE-ja nuk dëshiron apo as nuk mund ta detyrojë Kosovën që të zbatojë marrëveshjen e vitit 2013 mes Kosovës dhe Serbisë për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”, ka pretenduar Lavrov, raporton mediumi opozitar serb Danas.
Ai deklaroi se fakti që NATO-ja furnizon policinë e Kosovës me armë dhe “i ndihmon të krijojnë ushtrinë, shkel rëndë rezolutën themelore të Këshillit të Sigurimit të OKB-së 1244”.
“Degradimi i vazhdueshëm i situatës në këtë ‘rajon të Serbisë’ është thellësisht shqetësues. Respektimi i parimeve të Kartës së OKB-së në tërësinë e tyre dhe lidhja reciproke janë çelësi i paqes dhe stabilitetit ndërkombëtar”, shtoi kryediplomati rus.
Ndërsa ditë më parë, Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, njëherësh edhe zëvendëskryeministrja e Kosovës Donika Gërvalla, ka deklaruar se “Asociacioni i 2013-ës ka vdekur”.
“Të them të drejtën pas të dielës çdo bisedë për Asociacionin më duket e tepërt se pas te dielës nuk kanë kuptim. Asociacioni i vitit 2013 ka vdekur jo vetëm për ne por edhe për ndërkombëtarët, të koordinojmë punën e komunave në Veri të Kosovës është dallim tjetër”, tha ajo nw një intevistë në Top Chanel.
Megjithatë, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, në një intervistë për mediumin amerikan “Bloomberg”, të hënën ka thënë se Kosova duhet ta themelojë “urgjentisht” Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.
“Komuniteti serb në Kosovë ka ende një numër shqetësimesh dhe ata e shohin Asociacionin si një mënyrë për të ndihmuar në adresimin e këtyre shqetësimeve, duhet të ndodh urgjentisht”, tha ai.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com