Lajme

Krstinovska: Serbia po mbështetet te Kina për të bllokuar Kosovën që të sigurojë njohje


Ana Krstinovska, presidente e Institutit ESTIMA në Maqedoni të Veriu e cila ka shkruar një hulumtim akademik, për (jo) marrëdhëniet Kosovë – Kinë, në një intervistë për The Geopost thekson se Ballkani po përballet me propagandën kineze, derisa sipas saj Kina po i ndihmon Serbisë që Kosova të mos sigurojë njohje të reja.

“Serbia po mbështetet shumë më tepër në Kinë tani, ishte Rusia në të kaluarën, por duke pasur parasysh se Rusia ka humbur kapitalin e saj diplomatik për shkak të luftës në Ukrainë, Serbia është duke u fokusuar shumë më tepër në Kinë për të bllokuar në thelb përpjekjet e Kosovës për siguruar njohje ndërkombëtare ose për të kërkuar anëtarësim në organizata të ndryshme ndërkombëtare”, tha Krstinovska.

“Kam pasur ndjenjën se Kosova nuk është shumë e vetëdijshme për potencialin që ka Kina për të penguar përpjekjet e saj për njohje ndërkombëtare. Dhe ky është ndoshta një mesazh për politikëbërësit e Kosovës se kjo është diçka që ata duhet ta marrin seriozisht dhe të punojnë seriozisht”, shtoi ajo.

Kur pyetet se cilat janë vendet më të sulmuara nga propaganda dhe ndikimi kinez, ajo ka thekson se Serbia e Bosnja dhe Hercegovina, dhe veçanërisht rajoni i Republikës Srpska i nënshtrohen shumë më tepër ndikimit kinez, jo vetëm në aspektin e hapësirës së informacionit, por edhe në aspektin e ndikimit ekonomik.

Sipas saj, ka një lidhje të drejtpërdrejtë midis asaj që bën Kina në nivel global dhe asaj që ndjehet si pasojë në rajonin e Ballkanit.

“Ne definitivisht nuk jemi të imunizuar ndaj kësaj dhe gazetarët duhet të jenë punëtorët e vijës së parë që do të nxisin debatin publik në mënyrë që qytetarët tanë të formojnë një opinion të informuar për praninë kineze”, thotë ajo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore