Libra

“Kronika” e shijes letrare shqiptare


Që të rindërtosh një sallon sipas kronikës së shijes letrare shqiptare duhet të ndihesh më së pari si në shtëpi.

Nuk ke përballë një bibliotekë ose një stendë të regjur kulturalisht nga tituj dhe emra të pangjashëm autorësh, ca vendas e aq më tepër të huaj.

Por një frymëzim prej kronikës së vyer të letrave në kohë të ndryshme të letërsisë shqiptare, e cila manifestohet në të gurtën e Kadaresë.

Me ngjyrat e kuqe jashtëshkruar trupit noumenal (qëndron si entitet jashtë senseve humane) guri formësohet nga shtrirja jolineare e librave në Panairin Ndërkombëtar të Librit në Torino.

Jemi në sallën “Albania”, ku lart-poshtë bie drita e poshtë-lart vërvitet e gjithë retusheja e shijes letrare shqiptare si një “vend mik”.

E frymëzuar nga një prej veprave të shkrimtarit Ismail Kadare, “Kronikë në gur”, instalacioni i vepërzuar është projektuar nga arkitektja Matilda Pando dhe artisti Ergys Krisiko.

Salone Internazionale del Libro di Torino do të mbahet nga data 18 deri më 22 maj në qendrën e kongresit Lingotto Fiere në Torino të Italisë.

Panairi i librit është më i madhi në Itali dhe tërheq mbi 200 mijë vizitorë çdo vit.

Tema e këtij viti është “Përmes Lentes së Shikimit” dhe panairi do të nderojë rajonin italian të Sardinia-s dhe Shqipërinë si mysafirë nderi.

Ngjarjet përfshijnë nënshkrime librash, lexime, panele diskutimesh, seminare dhe koncerte.

Ka gjithashtu ekspozita dhe zona të veçanta kushtuar librave për fëmijë, komikeve dhe romaneve grafike.

“Përmes Lentes së Shikimit” është një udhëtim mes fantastikes dhe reales, nga fëmijëria në botën e të rriturve, nga e kaluara në të ardhmen.

Ministrja e Kulturës Elva Margariti deklaroi më herët se është punuar për të pasur një pavijon dinjitoz në Torino.

“Ne iu përgjigjëm me kënaqësi ftesës dhe iu bashkuam Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Fakultetit të Histori-Filologjisë, UT, Shoqata Shqiptare në Torino, Regione Puglia, Ambasada Shqiptare në Romë, për të sjellë një pavijon dinjitoz”, thotë Margariti.

Në sallën e gurtë mes ngjyrave të tokës dhe të kuqes “Albania” në Torino do të ketë rreth 40 aktivitete.

Do të ketë prezantime tavoline me emrat më të njohur të letërsisë shqipe si Lea Ypi, Ornela Vorpsi, Bashkim Shehu, Lucia Nadin, Matteo Mandala, Enkel Demi, Ardian Ndreca, Fatos Kongoli, Ylljet Aliçka, Stefan Çapaliku, Durim Taçi, Rita Petro, Anilda Ibrahimi, Liridon Mulaj, e shumë të tjerë.

“Ju presim në Torino, ku i gjithë pavioni shqiptar do të flasë në një gjuhë kadareane, si ‘Kronikë në gur’!”, vijoi ministrja Margariti.

Një sallon i konceptuar si një vepër, që fton vizitorët të hyjnë në të dhe të zbulojnë Shqipërinë në letërsi, e cila ka ofruar gjithmonë një letërsi evropiane, me stacionet e ndalesat dhe pengesat e saj, por me një orientim të qartë perëndimor, që vjen nga koha e Buzukut dhe Bogdanit, autorëve të Rilindjes Kombëtare, atyre të shek. XX brezave të rinj të shkrimtarëve.

Ministria e Kulturës bën me dije se përgjatë pesë ditëve të sallonit të Torinos do të ketë promovime të librave të përkthyera në italisht, panele diskutimesh për letërsinë bashkëkohore me një prani të pasur të autorëve dhe studiuesve shqiptarë dhe italianë.

E ky manifest letrar është një testament i kronikës së shijes estetike shqiptare që është i hapur për botën.

Panairi ofron më shumë se 2 mijë ngjarje në 40 vende në të gjithë qytetin dhe përfshin një pistë për profesionistët e botimeve dhe një qendër të fuqishme të të drejtave – e cila mbulon shitjet e librave, filmave dhe të drejtave audio – pret të presë mbi 400 pjesëmarrës nga më shumë se 20 vende.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore