Kroacia e shqetësuar për tensionet, Milanoviç në OKB: Kosova e Serbia t’i përmbushin obligimet e tyre

Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviç, gjatë fjalimit të tij në sesionin e 78-të të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), një pjesë ia ka dedikuar edhe rrjedhës së tensionuar të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, duke iu bërë thirrje të dy palëve që t’i përmbushin obligimet e tyre që burojnë nga dialogu për normalizimin e marrëdhënieve.
Përveç shprehjes së shqetësimit për tensionet në veriun e Kosovës të banuar me serbë etnikë, presidenti kroat ka përsëritur thirrjen që Kosova dhe Serbia t’i implementojnë kërkesat që janë shprehur në deklaratën e 27 vendeve të Bashkimit Evropian me 3 qershor të këtij viti për de-përshkallëzimin e situatës në terren dhe krijimit të atmosferës për normalizimin e marrëdhënieve.
“Jemi shumë të shqetësuar për zhvillimet e fundit në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë dhe dëshirojmë të inkurajojmë masat për de-përshkallëzimin e tensioneve. Në mënyrë të ngjashme, këto dy vende duhet të fokusohen në normalizimin e marrëdhënieve dhe të përmbushin detyrimet e tyre dhe të fillojnë të zbatojnë atë që u dakordua këtë vit në Bruksel dhe Ohër”, ka thënë ai.
Kujtojmë se raundi i ri i “negociatave të vështira” diplomatike nën kujdesin e BE-së nuk ka arritur t’i përmbushë pritshmëritë në aspektimin e krijimit të atmosferës së normalizimit të marrëdhënieve, pajtimit dhe zbatimit të shpejtë të angazhimeve që palët kanë marrë përsipër veçanërisht në fund të shkurtit në Bruksel dhe më pas në mes marsit në Ohër.
Pavarësisht akuzave dhe kundër-akuza mes palëve – këtë herë përgjegjëse për dështimin e negociatave është konsideruar ekskluzivisht Qeveria e Kosovës – bashkësia e organizuar ndërkombëtare ka bërë me dije se terreni i kërkimit të madh për “shkakun e vetëm” dhe “formulën e zgjidhjes” së kontestit Kosovë-Serbi vazhdon të mbetet Brukseli.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com