Kosova

Kriza në Veri, Grubi: Ndoshta jo qëllimisht, Kosova e ndihmoi Vuçiç-in


Artan Grubi

Zëvendëskryeministri shqiptar në qeverinë e Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, në një intervistë për “KlanKosova”, duke komentuar situatën e tensionuar në Veri të Kosovës, ka thënë se ndoshta jo qëllimisht Kosova i ka ndihmuar presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, pasi që i njëjti ka qenë duke u ballafaquar me protesta masive nga opozita atje, pas dy ngjarjeve tragjike që ndodhën atje, duke shtuar se pas ngjarjeve në Kosovës, këto protesta u zbehën.

“Ndoshta jo qëllimisht. Mund të jetë skenar i Vuçiç-it, sepse i ndihmojë, të gjithë jemi dëshmitar se në çfarë rrethanash ishte Vuçiç-i pas masakrës në shkollë, dhe në çfarë rrethana është sot. Sot, ai është burrështetas, dhe në partneritet me Uashingtonin dhe Brukselin, dhe tregohet konstruktivi për të zgjidhur një konflikt, një vatër konflikti në Veriun e Kosovës, dhe jo dikush që duhet të merret me përgjegjësi për arsye se janë vrarë fëmijë të pafajshëm në shkollë”, tha Grubi.

Ndërkaq, ai theksoi se me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, janë takuar së fundmi në Forumin e Prespës, që u mbajt në Strugë të Maqedonisë së Veriut, duke treguar se si ai, po ashtu edhe kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, e kanë këshilluar që të koordinohet me aleatët për gjendjen në Veri, sidomos me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Këshilla e tij për Kurtin ishte që, ne që nga funksionimi ynë si parti nuk kemi ndërmarrë asnjë hap pa konsultim me ShBA-në dhe Bashkimin Evropian, dhe se asgjë e keqe nuk na ka ardhur në bashkëpunimin me ta”.

Teksa shtoi se kryetari i partisë së tij “Ahmeti më shumë se për Maqedoninë ka bërë për Kosovën, edhe nëse e shihni zemra e tij flenë për Kosovën, e ka me emocion të veçantë, dhe e përjeton çdo gjë që ndodh në Kosovë”.

Po ashtu, ai potencoi se sa i përket situatës në Veri pozicioni i tij dhe partisë së tij është i qartë, suke shtuar se zgjidhja e vetme në mes të Kosovës dhe Serbisë, është njohja reciproke.

“Mendoj që e kemi të bërë të qartë, si unë dhe Ahmeti se është e papranueshme kjo çfarë po ndodh në Veriun e Kosovës. integriteti territorial në atë pjesë i takon vetëm Kosovës, i takon vetëm qytetarëve të Kosovës, dhe zgjidhja e vetme është njohja e reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë”, pohoi ai.

“Ky nuk është qëndrim vetëm i BDI-së, por edhe i Maqedonisë së Veriut”.

Tutje, zëvendëskryeministri shqiptar në qeverinë maqedonase, bëri me dije se këtë të marte, dy qeveritë, ajo e Kosovës dhe ajo e Maqedonisë së Veriut, kanë harmonizuar tekstin për integrimin e kufijve.

“Jam shumë i lumtur që pas gati se dy viteve e harmonizuam tekstin për marrëveshjen e instalimit të ‘One-Stop Shop’ në kufijtë me Kosovën, në Bllace dhe Jazhincë. Kufi i integruar me vetëm një kontroll, vetëm një kontroll kur ju hyni në Maqedoni dhe vetëm një kontroll kur ne hyjmë në Kosovë”.

“Sot është harmonizuar teksti, pastaj duhet të kaloj në qeveri tek ne dhe ju dhe pastaj nënshkruhet nga ministrat (Xhelal) Sveçla dhe Spasovski, pastaj duhet të zbatohet nga ekipet në terren”, tregoi ai.

Ndryshe, tensionet në Veri të Kosovës janë rritur që nga 26 maji, kur qeveria e Kosovës vendosi për t’i instaluar në zyrat e tyre kryetarët e katër komunave Veriore. Ky vendim hasi në kundërshtim të serbëve lokalë, të cilët ishin mjaft të ashpër në kundërshtimin e tyre.

Situatë më e tensionuar ishte të hënën e 29 majit, kur protestuesit e dhunshëm serbë sulmuan ushtarët e KFOR-it, duke lënë të lënduar dhjetëra prej tyre, kryesisht italianë dhe hungarezë.

Situata agravoi edhe më tej kur xhandarmëria serbe kidnapoi tre policë të Kosovës në pikën kufitare, të cilët e liruan pas dy javësh, saktësisht të hënën e 26 qershorit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore