Shqipëria

Kriza energjetike/ Në Shqipëri nuk do të ketë kufizime, pritet ardhja e anijeve që prodhojnë energji


Drejtori i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH), Ergys Verdho, në një dalje publike ka deklaruar se nuk do të ketë kufizime të energjisë edhe pse ndodhemi në një krizë.

Ai theksoi se për menaxhimin e situatës do të shfrytëzohen anijet që prodhojnë energji, të cilat sipas planit do të vendosen në Vlorë.

Verdho specifikoi se anijet që prodhojnë energji ndodhen në Mesdhe dhe nga data 9 deri me 15 shtator do të jenë në Shqipëri.

“114 mega në orë, kjo është ndihma që na japin anijet. Kur ne ta kemi të nevojshme, kur nuk kemi shi, do të dalim. Ne studiojmë bursën çdo ditë. Anijet kanë frymëmarrje të madhe. Ne kemi 70% prodhim vendi, 30% import. Prodhimi i anijeve minimizon blerjet në import. Anijet janë me kosto afërsisht 200 euro/MGW”, tha drejtori.

Nga ana tjetër ai ravijëzoi se kriza ka 1 vit që ka filluar ende pa ardhur lufta, por sot po merr kupën e saj më të lartë.

“KESH ka kuotën më të mirë historike e menaxhuar në vite të thata”, tha Verdho në një intervistë me “Report TV”.

Ndërkohë, disa ditë më parë KESH-i u bëri thirrje shqiptarëve të kursejnë, pasi “çdo vat i kursyer sot, është vat i fituar për muajt në vazhdim”.

“E vërteta është që çmimet e energjisë janë rritur shumë në tregjet ku ne importojmë. Shifrat e rritjes së çmimit janë shtatë herë më të larta se një vit më parë”.

Sipas tij, kjo bën që energjia të jetë gjithnjë e më e kushtueshme për t’u blerë.

Siç tashmë është bërë e ditur, çmimet e energjisë elektrike në Evropë janë rritur, për shkak të një kombinimi faktorësh, ku më së shumti ka ndikuar lufta e Rusisë në Ukrainë dhe kufizimi i furnizimeve me gaz natyror.

Raportet e fundit treguan se ndërsa çmimet me shumicë të gazit dhe energjisë elektrike rriten, miliona njerëz në Evropë tani po shpenzojnë një sasi rekord të të ardhurave të tyre për energji.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore