Shqipëria

Kriza energjetike në Kosovë, Rama: Me aq sa mundemi, do të ndihmojmë


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar mbi situatën e krizës energjetike në Kosovë.

Ai, nëpërmjet një postimi në median sociale Twitter, shkruan se ka kërkuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë vlerësimin e çdo mundësie ndihme për Qeverinë e Kosovës.

Kjo që familjeve atje të mos u mungojë energjia elektrike në dy ditët e festës “popullore të ndarjes së viteve”.

Rama është ndalur edhe te gjendja në Shqipëri, ku ka theksuar se nuk është e lehtë mbrojtja e vijueshme të familjeve e sipërmarrjeve të vogla nga “dallga e tërbuar e krizës energjetike”.

Por kjo, sipas numrit një të Qeverisë shqiptare, nuk duhet të jetë një justifikim për të mos ndihmuar Kosovën “me aq sa kemi”.

Këtë të martë Qeveria e Kosovës ka mbajtur edhe një seancë të jashtëzakonshme plenare pikërisht për këtë çështje.

Ndërkohë, kabineti i kryeministrit Albin Kurtit, në mbledhjen e 24 dhjetorit, ndërmori një vendim lidhur me shpalljen e masave emergjente për kufizimin me energji elektrike në kohëzgjatje prej 60 ditësh.

Kurti shpesh ka ravijëzuar se Kosova gjendet e përfshirë në një krize energjetike.

Arsyet e krizës në Kosovë, sipas tij, shtrihen në dy rrafshe: të brendshme dhe të jashtme.

Në njërën anë “çmimet e larta të importit janë pasojë e faktorëve të jashtëm, ndërkaq dobësimi i kapaciteteve është pasojë e shkaqeve të brendshme”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore