Lajme

Kriza e vendeve të punës në Indi, më serioze nga sa duket


I diplomuar për drejtësi në Indi, ai aplikoi për një punë si shofer jo më larg se javën e kaluar.

Ai, Jitendra Maurya, ishte një nga më shumë se 10 mijë të rinjtë e papunë që u paraqitën për intervista për 15 punë qeveritare me aftësi të ulëta në shtetin qendror të Madhya Pradesh.

Por referuar raportimeve, shumë prej aspirantëve ishin të mbikualifikuar. Ngjashëm si rasti i Maurya-s, i cili po përgatitet për provimin e gjyqtarit.

“Situata është e tillë që ndonjëherë nuk ka para për të blerë libra. Kështu që mendova se do të gjej punë”, ka thënë ai.

Dhe gjendja ku ai ndodhet, hedh dritë mbi krizën akute të vendeve të punës me të cilën përballet India.

Ishte pandemia që e goditi rëndë ekonominë e tretë më të madhe të Azisë, e cila tashmë ndodhet në grahmat e një ngadalësimi të zgjatur. Paçka se po sheh një rikthim kryesisht për shkak të kërkesës së ndrydhur dhe rritjes së shpenzimeve qeveritare.

Një tjetër problem ngre krye. Atje, vendet e punës po pakësohen.

Shkalla e papunësisë pësoi një rritje me gati tetë për qind në dhjetor, sipas Qendrës për Monitorimin e Ekonomisë Indiane (CMIE), një institut i pavarur.

“Kjo është shumë më e lartë se çdo gjë tjetër në Indi, të paktën gjatë tre dekadave të fundit, duke përfshirë krizën e madhe ekonomike të vitit 1991 kur vendi nuk kishte dollarë të mjaftueshëm për të paguar importet”, ka thënë Kaushik Basu, ish-kryekonomist i Bankës Botërore.

Vitin e kaluar, shumica e vendeve u përballën me rritje të papunësisë. Por shkalla e Indisë tejkaloi shumicën e ekonomive në zhvillim si Bangladeshi, Meksika dhe Vietnami, ka shtuar Basu.

Sipas CMIE-së, edhe punët me rrogë u tkurrën. Dhe kjo mund të jetë sepse firmat kanë përdorur pandeminë për të shkurtuar fuqinë punëtore dhe për të ulur kostot.

“Kishte lëkundje. Zbuluam se rreth gjysma e atyre që kishin punuar me rrogë përpara bllokimit nuk mund të mbanin një punë të tillë”, ka treguar ekonomisti Amit Basole.

Megjithatë, ekonomistët janë të mendimit se pandemia është vetëm pjesërisht përgjegjëse për rënien e mprehtë të vendeve të punës.

“Çka ka ndodhur në Indi pasqyron faktin se politika po bëhet me pak e vëmendshme për mirëqenien e punëtorëve dhe bizneseve të vogla, siç e pamë gjatë bllokimit në vitin 2020”, ka dalluar Basu.

Për të, shifrat nuk tregojnë të gjithë historinë rreth papunësisë së vazhdueshme në Indi.

Papunësia i referohet veçanërisht të rinjve të arsimuar që kërkojnë punë në ekonominë formale.

“Papunësia është për të arsimuarit, relativisht të pasurit. Jo njerëzit e varfër, të pakualifikuar apo gjysmë të kualifikuar”, ka veçuar ekonomistja Radhicka Kapoor.

Sa më i arsimuar të jetë aspiranti për punë, aq më shumë ka të ngjarë që ai të mbetet i papunë dhe të mos dëshirojë të marrë një punë informale me pagë të ulët.

Kurse të varfrit që kanë pak qasje në arsim janë të detyruar të merren me çdo punë që u del përpara.

Prandaj dhe shifrat e papunësisë nuk zbulojnë shumë për ofertën totale të punëtorëve në ekonomi në tërësi.

Në Indi, tre të katërtat e fuqisë punëtore janë të vetëpunësuar dhe pa përfitime të sigurimeve shoqërore.

Dhe vetëm pak më shumë se dy për qind e fuqisë punëtore kanë punë të sigurta formale me akses në sigurimet shoqërore.

“Shumica e fuqisë punëtore të Indisë është e cenueshme dhe udhëheq një ekzistencë të pasigurt”, ka thënë Kapoor.

Nga ana tjetër, fitimet janë të pakta. Referuar sondazheve, 45 për qind e të gjithë punëtorëve me rrogë fitojnë më pak se 130 dollarë në muaj.

Një arsye tjetër prapa papunësisë së atjeshme është edhe kapërcimi i vendit nga një ekonomi kryesisht bujqësore në një ekonomi të shërbimeve.

Rritja është mundësuar nga shërbime të nivelit të lartë si të software-it dhe financat e drejtuara nga punonjës shumë të kualifikuar.

Ka pasur pak punë në prodhim ose në fabrikë që mund të thithnin një numër të madh punëtorësh të pakualifikuar ose me kualifikim të ulët.

Ndërkaq, Basu apelon se qeveria duhet të kontrollojë inflacionin, të krijojë punësim dhe të mbështesë punëtorët.

 

Marrë nga “BBC”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore