Kriza e refugjatëve/ Macron kërkon mbledhje emergjente të BE-së

SHFLETO
Vitjon Nina
24.11.2021 21:57
Loading Icons...

Mbytja e një anijeje në kanalin që ndan Britaninë e Madhe nga Franca, në të cilën të paktën 31 persona raportohet të kenë humbur jetën, ka bërë që sytë e Bashkimit Evropian të kthehen sërish për nga kjo temë, duke detyruar presidentin francez, Emmanuel Macron, të thërrasë një mbledhje urgjente të ministrave evropianë mbi krizën e migrimit.

Premtimi i parë i Macron, ka ardhur mbi pasojat e incidentit të rëndë. “Premtojmë se do të gjejmë fajtorët për të këtë tragjedi”, theksoi Macron, duke shtuar se “autoritetet franceze po bëjnë gjithçka të mundur për ta arritur këtë”.

Varkë shpëtimi në kanalin Britani-Francë

Mbi humbjet e jetëve, Macron ishte i qartë se në thelb, qëndron humaniteti.

“Janë vlerat më të thella evropiane, humanizmi, respekti dhe dinjiteti i çdo personi, të cilat vajtojnë”.

Nga ana tjetër, kryeministri britanik, Boris Johnson, përtej ngushëllimit të rastit, dha një prononcim edhe mbi situatën.

“Kjo ngjarje na kujton sa i rrezikshëm është kalimi në kanal”, tha ai për median britanike BBC.

Shifrat ndërkaq janë shumë shqetësuese.

Ndërkohë që në janar ishin vetëm 14 varka që tentuan kalimin, në nëntor numri ka shkuar në 179. Gjatë gjithë muajve të vitit, varkat me emigrantë të jashtëligjshëm janë shtuar.

Numri i varkave që kanë kaluar kanalin sipas çdo muaji në vitin 2021

Nëntori, edhe pse i papërfunduar, ka kulmin e kalimeve. Më herët gjatë tij, mbi 1 mijë njerëz mbërritën brenda ditës në territor britanik.

Ndërkaq, në tërësi, gjatë 2021-shit, emigrantët që kalojnë kanalin janë trefishuar. Më shumë se 25 mijë e 700, kanë qenë ata vetëm në vitin 2021.