Lajme

Kriza e mikroçipeve rrezikon makinat, kartat e bankomateve dhe ato të identitetit


Dy vjet pas shpërthimit të pandemisë Covid-19, kriza e mikroçipëve vazhdon të godasë industrinë e automobilave, duke e bërë gjithnjë e më të trazuar rrugën e saj drejt elektrifikimit të plotë të mjeteve të transportit. Por “mungesa e çipave”, e cila filloi me rihapjen e fabrikave të Lindjes së Largët menjëherë pas bllokimeve, tani po përkeqësohet me zgjatjen e konfliktit ruso-ukrainas dhe karantinat e reja të vendosura në Kinë.

Në fakt, Ukraina është eksportuesi kryesor i neonit, një gaz që përdoret për gdhendjen me lazer të vaferave të silikonit të mikroçipave, ndërsa nga Rusia vjen paladiumi, një tjetër komponent thelbësor për gjysmëpërçuesit.

Rezultati është se mungesa e këtyre elementeve jo vetëm po ngadalëson montimin e makinave nëpër fabrika në mbarë botën, por tani po krijon probleme edhe për kartat magnetike që përdorim në jetën e përditshme si bankomati, kartat e kreditit, karta e shëndetit në Evropë, etj.

Me pak fjalë problemet janë të lidhura me kartat nëpërmjet të cilave kryen operacione online.

Mungesa e çipave po i detyron prodhuesit e automjeteve të rimendojnë planet e tyre. Sipas AutoForecast Solutions (AFS), një ofrues global i bazës së të dhënave të parashikimeve të automobilave, i cituar nga Autoneës, fabrikat amerikane janë detyruar të heqin gati 1.06 milionë automjete nga oraret e prodhimit këtë vit për shkak të krizës së gjysmëpërçuesve.

Vetëm në javën e dytë të gushtit nuk u montuan 180 mijë makina. Të dhënat e AFS zbuluan se rreth 3 milionë automjete mungojnë në mbarë botën që nga fillimi i vitit, që do të rritet në mbi 3.8 milionë deri në fund të vitit.

Në fakt, skenari nuk duket i destinuar të përmirësohet. Sipas AFS, prodhimi i përgjithshëm në Shtetet e Bashkuara u ul me 180 mijë automjete në javën e dytë të gushtit, ndërsa në korrik fabrikat e makinave në Mbretërinë e Bashkuar njoftuan se nuk do të kthehen në prodhimin 1 milion automjete në vit të paktën deri në vitin 2025. Në Itali, fabrikat Stellantis në Mirafiori dhe Melfi po përballen me ndalesa dhe rikuperime të vazhdueshme të prodhimit në linjat 500E, Jeep Compass dhe Renegade.

Ndërkaq Ministria e Ekonomisë italiane, po shpërndan një version të ri të kartës së shëndetit pa mikroçip. Kartat e reja do të kenë vlerën e Kodit Tatimor (NIPT) dhe Kartës Evropiane të Ndihmës Shëndetësore, por jo funksionet e Kartës Kombëtare të Shërbimit (identifikimi dhe vërtetimi online dhe nënshkrimi elektronik i avancuar në marrëdhëniet me Administratat Publike).

Nga makinat, te Bashkitë dhe te kursimet. Mungesa e gjysmëpërçuesve ka filluar të paralizojë edhe lëshimin e kartave të reja të debitit,bankomatët. Në këtë moment oferta e çipave në dispozicion nuk është në gjendje të përballojë kërkesat.

Krahasuar me 5 vjet më parë, koha e dorëzimit për çipat e kërkuar për sistemet e sigurisë bankare të IT-së është zgjeruar në 52 javë (kundrejt 27 javësh para pandemisë). Duke menduar që vetëm në Evropë kemi 810 milionë karta pagese në qarkullim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore