Pajisje

Kriptovaluta dhe konsumi i energjisë elektrike


Konsumi i energjisë elektrike ka qenë shkëndija më e fundit që ndezi debatin për kriptovalutën.

Një kritik i kriptovalutës, Alex de Vries, themeluesi i DigiEconomist, është shprehur për Tech Crunch se “kurrë nuk ka parë diçka që është aq joefikase sa Bitcoin-i”.

Në anën tjetër të debatit, ARK Investment Management, ka zbuluar se Bitcoin-i konsumon më pak se 10% të energjisë së nevojshme për sistemin bankar tradicional.

Mirëpo, sistemi bankar u shërben shumë më shumë njerëzve se sa kriptomonedha, e cila është në fazat e hershme të zhvillimit të saj.

Kjo industri e re që ka grumbulluar afro 1.4 miliardë dollarë vetëm në muajin shkurt, nuk është kthyer ende në një faktor jashtëzakonisht “i tmerrshëm” për mjedisin krahasuar me aspekte të tjera të jetës moderne në një shoqëri të industrializuar.

Madje, de Vries ka thënë se nëse rregullatorët e mjedisit ndërmarrin të gjitha veprimet e mundshme kundër Bitcoin-it, nuk ka gjasa që të gjitha qeveritë ta ndjekin më atë.

Sipas tij, ndryshimi duhet të vijë nga brenda. Bitcoin-i nevojitet të ndryshojë software-in për të kërkuar më pak energji. “Bitcoin-i konsumon gjysmën e energjisë që përdorin të gjitha qendrat e të dhënave në botë momentalisht”, shton ai.

Në bazë të indeksit të konsumit të energjisë elektrike të Universitetit të Cambridge-it, Bitcoin-i konsumon afërsisht 0.8% të konsumit global të energjisë elektrike.

Prej shifrës, Bitcoin-i është në të njëjtin nivel me emetimet e dioksidit të karbonit në një komb të vogël në zhvillim si Siri Lanka ose Jordania që strehon 10 milionë njerëz.

Tech Crunch shkruan se është gati e pamundur të llogarisësh se sa njerëz e përdorin Bitcoin-in çdo muaj, megjithatë të dhënat e CoinMetrics tregojnë se janë aktive çdo ditë më shumë se një milion adresa.

Edhe Crypto.com ka dhënë një shifër. Dekadën e kaluar kanë qenë rreth 106 milionë llogari aktive.

“Ne marrim popullsinë totale të përdoruesve unik të Bitcoin-it dhe Ether-it duke llogaritur numrin e përgjithshëm të adresave nga shkëmbimet e listuara dhe duke zbritur adresat në pronësi të të njëjtëve përdorues në shumë shkëmbime”, ka sqaruar një zëdhënës i Crypto.com.

Ai ka shtuar se “më pas, ne e zvogëlojmë akoma më shumë këtë numër duke llogaritur përdoruesit që zotërojnë edhe Bitcoin edhe Ether”.

Në thelb, qendrat prodhimit të pajisjeve të kriptovalutave nuk prodhojnë në mënyrë të natyrshme emetime shtesë të karbonit sepse kompjuterët mund të përdorin energji nga çdo burim.

Edhe pse një studim i vitit 2019 i realizuar nga CoinShare nxirrte në pah se disa qendra përdornin energji të rinovueshme si pjesë të furnizimit të tyre me energji, de Vires i mëshon faktit se vetëm 33% e tyre në total, konsumon energji të rinovueshme.

Lidhur me shpërndarjen gjeografike, të dhënat e Cambridge-it, tregojnë se operacionet kineze të Bitcoin-it përbëjnë 65% të energjisë së rrjetit.

Në kundërshtim me të, Amerika e Veriut mban shifrën 8% duke u ndjekur nga Rusia, Kazakistani, Malajzia dhe Irani.

Dominimi kinez i atribuohet pjesërisht subvencioneve të qeverisë për industrinë e pajisjeve të prodhimit. Kjo pasi Kina stimulon prodhimin e tyre duke përdorur burimet lokale të hidrocentraleve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore