Lajme

“Kriptoja është strehë e zemërimit populist, lojërave të fatit dhe krimit”


“Kriptovaluta është një mashtrim gjigant, edhe pse një mashtrim i komplikuar”.

Kur Stephen Diehl e bëri publike këtë deklaratë në qershor, Bitcoin-i dhe asetet e tjera u luhatën.

Prej asaj kohe, kolapsi i FTX, shkëmbimi i dytë më i madh i kriptove, ka krijuar një krizë potencialisht ekzistenciale.

Miliarda dollarë asete të klientëve duket se janë djegur, së bashku me statusin e themeluesit të FTX, Sam Bankman-Fried, si një vizionar altruist.

Teksa Bankman-Fried u kërkoi ligjvënësve amerikanë që të krijonin rregulla të reja të favorshme për kripton, Diehl tërhoqi anën tjetër të litarit.

Ai loboi që kriptoja të rregullohej si asetet e tjera.

Në qershor, ai bashkërendoi një letër prej 1 mijë e 500 teknologësh drejtuar anëtarëve të lartë të Kongresit të SHBA-ve, duke u kërkuar atyre që të shikojnë përtej “turbullirave të industrisë së kriptove”.

Po ashtu i ftoi ata të kuptonin “të metat e natyrshme” të tyre.

Diehl zotëron njohuri në programim dhe ekonomi, aq sa për të vënë në dyshim kripto-n.

Ai është përpjekur të shesë teknologjinë blockchain dhe beson se ai mund të kishte kapur valën e kriptove.

Në vend të kësaj, ai qëndroi mënjanë, duke bërë blogje për dështimet e kriptove. Kjo i dha atij ndjeke, por edhe ngacmime, duke përfshirë kërcënimet me vdekje.

“Tre vitet e fundit kanë qenë ferr. Nuk është e lehtë të jesh një kriptoskeptik”.

Libri i tij, “Popping the Crypto Bubble”, gjurmon shfaqjen e Bitcoin-it gjatë krizës globale financiare dhe argumenton se kriptoja është e ngadaltë dhe jo e besueshme.

Sipas tij, nuk mund të jetë njëherazi investim i madh, që shkon lart e më lart dhe një monedhë e qëndrueshme, e cila ofron vlerë të qëndrueshme.

Ai argumenton se çmimi i aseteve kripto bazohet kryesisht në faktin se ekziston një budalla edhe më i madh që beson reklamën.

“Pas 14 vitesh, është ende një zgjidhje në kërkim të një problemi. Nuk po ndërton një sistem të ri financiar. Nuk është një aset i palidhur me tregun. Nuk është një mbrojtje kundër inflacionit”, ka thënë ai.

Për të është një “mjet për spekulime të pastra, të zhveshura, të shkëputura nga çdo gjë në ekonomi… një kazino që është e mbështjellë në të gjitha këto gënjeshtra”.

Mund të mos jeni të interesuar për kripton, por duhet të jeni.

“Zbulon shumë nga tendencat tona të errëta. Dhe është një pasqyrë për shumë luftë politike në shoqëri”, ka vijuar Diehl.

Ai u rrit në Massachusetts. Studioi fizikë dhe ishte një punonjës i hershëm në Quantopian, një fond mbrojtës tashmë i pafuqishëm që grumbullonte algoritme investimesh.

Më vonë u transferua në Mbretërinë e Bashkuar me Adjoint, një kompani software-ësh që aplikon teknologjinë blockchain.

Blockchain mund të lidhë aktorë që nuk i besojnë njëri-tjetrit. Por në një botë ku bankat i besojnë njëra-tjetrës, “një i ashtuquajtur rrjet i pabesueshëm është i tepërt”.

Nëse keni tre banka kryesore dhe të gjitha kanë të dhëna që duan t’i ndajnë me njëra-tjetrën, të kesh tre baza të dhënash që mbahen automatikisht të sinkronizuara është një arkitekturë shumë më komplekse sesa thjesht të kesh një bazë të dhënash që të gjithë e ndajnë.

Nëse Diehl ka të drejtë, a duhet të shkojnë së shpejti në zero të gjitha asetet kripto?

Ai është i kujdesshëm për të parashikuar.

Megjithatë, nuk heziton të thotë se “kriptoja strehon zemërimin populist, lojërat e fatit dhe krimit”.

Humbja e besimit të tifozëve të kriptove në sistemin financiar është, në një farë mënyre, e çuditshme.

Edhe në rrëzimin e vitit 2008, depozitat bankare ishin të siguruara. Stoqet u rritën për pjesën më të madhe të dekadës së kaluar.

“Shumë prej tyre mendojnë se duhet të investojnë në aktive me rrezik më të lartë sepse kanë nevojë për kthime më të larta”.

“Nuk dua të shoh kaq shumë njerëz të lëndohen. Brezi im është goditur nga kriza financiare, nga COVID-i, do të kemi krizën e klimës. Këta njerëz nuk kanë nevojë për këtë vuajtje shtesë në jetën e tyre”.

Një përgjigje ndaj falimentimit të FTX është se ishte një platformë e centralizuar. Kështu, një formë më e mirë e kriptos mund ta zëvendësojë atë.

“Nëse e pranoni tezën se aktivet janë një skemë ‘me budallenj’, nuk ka rëndësi se ku po i tregtoni ato”, ka thënë ai.

Ai argumenton se Bitcoin-i, në veçanti, është shumë i ngadalshëm për t’u shkallëzuar: ai përpunon rreth shtatë transaksione në sekondë

“Mbase mjaftueshëm për të drejtuar një Tesco të vogël, por jo një ekonomi kombëtare”.

Ndër ata që Diehl i kritikon është Elon Musk, i cili ka nxitur monedhën Dogecoin dhe kompania e makinave të të cilit bleu Bitcoin.

“Elon është një klloun. Mendoj se është një shaka për të. Ai është thjesht një nxitës. Nuk jam i sigurt nëse ai beson në të”.

Ndaj dhe dëshiron që kriptoja të kufizohet.

“Njeriu mesatar duhet të jetë në gjendje t’ju tregojë, si një çështje e njohurive të përbashkëta, pse investimi në asete që nuk kanë vlerë të brendshme është një ide e keqe”.

Marrë nga “Financial Times”, përshtatur për “Albanian Post”.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore