Shqipëria

“Krimi që u drejtua nga burgu”


Lart-majtas, viktima Jak Prenga dhe poshtë-djathtas Dritan Rexhepi

Prestigjiozja britanike “Daily Mail”, i ka dedikuar një artikull të premten e 16 korrikut, pengmarrjeve, kokainës, të gjitha këto prapa hekurave të qelive. Figurat e familjes Prenga deri tek ngecja në vorbullën e kokainës së Dritan Rexhepit.

Në janar të vitit të kaluar, një sipërmarrës shqiptar i dënuar me 8 vite burg për trafik drogë mori një telefonatë të papritur për një çështje biznesi nga qelia e burgut në Britani. Personi që telefonoi shqiptarin Ndrek Prenga ishte një baron droge, një vrasës dhe një grabitës i cili e telefonoi nga qelia e burgut në Quito, kryeqyteti i Ekuadorit në Amerikën e Jugut, gati 6 mijë milje larg.

Sindikata “Kompania Bello” kërkonte rikthimin e menjëhershëm të kokainës me vlerë disa miliona paund që një nga vëllezërit Prenga u kishte “vjedhur” disa muaj më parë. Në shkëmbim, tha baroni, vëllai i Prengës, i cili ishte marrë peng në Shqipëri do të lihej i lirë.

Por biznesi është biznes.

“Dhe kur bëhet fjalë për kartelet shqiptare të kokainës,  situata është shumë e rrezikshme”, shkruan Daily Mail.

Priti Patel

Javën e kaluar, Sekretarja e Brendshme britanike, Priti Patel vizitoi Tiranën, ku ajo nënshkroi një marrëveshje “historike” me qeverinë për të luftuar bandat kriminale dhe “për të dëbuar shtetasit shqiptarë të cilët kryejnë aktivitete kriminale në Mbretërinë e Bashkuar.

Në mesin e të synuarve janë kriminelet shqiptarë, të cilët sipas vendit të origjinës përbëjnë tanimë numrin më të madh të shkelësve të ligjit në burgjet e Mbretërisë së Bashkuar – 16 përqind sipas statistikave të Home Office.

“Unë jam e vendosur për të përmirësuar sistemin tonë të imigracionit, për të ndaluar hyrjen e paligjshme dhe për të larguar ata që nuk kanë të drejtë të jetojnë në Mbretërinë e Bashkuar sa më shpejt të jetë e mundur”, deklaroi Patel në Tiranë.

Plani ynë i ri për Imigracionin, së bashku me këtë marrëveshje të re, do të përshpejtojë dënimin e shtetasve shqiptarë të cilët kanë kryer krime në Mbretërinë e Bashkuar. Patel u shpreh në fjalën e saj se nuk kërkon falje për largimin e kriminelëve të huaj të rrezikshëm. Kjo, për të mbrojtur britanikët.

Ministria e Brendshme pretendon se që nga prilli i këtij viti shteti ka larguar 254 kriminelë shqiptarë nga Britania e Madhe si dhe 85 shtetas të tjerë shqiptarë pa leje.

Operacionet e tyre kanë kontribuar në rritje të krimit dhe sulmeve në rrugët britanike dhe shtrirjen e tregtisë së drogës nga qytetet më të mëdha në provincat rurale përmes rrjeteve të ndryshme.

“Përveç rastit të zhdukjes së  Jak Prengës ka prova të tjera se sa të pamëshirshëm janë ata”, shkruan Daily Mail.

Vrasja e një njeriu të pafajshëm

Si shumë bashkatdhetarë të tyre, pesë vëllezërit Prenga u larguan nga Shqipëria në fund të viteve ‘90 kur vendi më i varfër në Evropë po vuante kolapsin ekonomik pas dekadave të sundimit totalitar.

Më i madhi prej tyre Jaku, migroi me gruan e tij Maria në Greqi, por më vonë u kthye në Tiranë ku krijoi një biznes për prodhimin e mobiljeve. Çifti kishte tre fëmijë. Katër vëllezërit e tjerë u larguan për në Mbretërinë e Bashkuar, ku morën edhe nënshtetësinë britanike.

Anton Prenga  ashtu si edhe një vëlla tjetër bënin punë të ndershme në Britani dhe nuk u përfshinë kurrë në biznesin e drogës.

Dy nga vëllezërit, Ndrek dhe ‘Veri’ (jo emri i tij i vërtetë), morën pjesë në rrjete serioze kriminale brenda diasporës shqiptare.

Ndoshta personazhi më i shquar që Ndrek Prenga hasi në këtë botë ishte një njeri i quajtur Dritan ‘Gramoz’ Rexhepi.

Dritan Rexhepi

Rexhepi, me origjinë nga qyteti i Vlorës, ka kryer krime të shumta në të gjithë Evropën. Ai ka qenë i dënuar për trafik kokaine në Itali dhe grabitje të armatosur në Belgjikë. Por ai zakonisht arrinte të qëndronte një hap përpara ligjit, duke u arratisur nga burgu ose paraburgimi në tre vende të ndryshme.

Ai ishte në listën e “më të kërkuarve” të Scotland Yard-it në vitin 2013, dhe besohej se qëndronte i fshehur në Mbretërinë e Bashkuar. Në të njëjtin vit ai u dënua – në mungesë – në Shqipëri për vrasjen e një oficeri policie, një personi tjetër dhe plagosjen e një të treti në 1998.

Por, asokohe Rexhepi ishte me shumë gjasa në Amerikën e Jugut, rrugës për t’u bërë “udhëheqësi” i Kompanisë Bello, të cilën ai e ktheu në një nga kartelet më të suksesshme dhe inovative të drogës që vepronin në Evropë.

Sindikata përbëhej nga 14 organizata kriminale shqiptare. Rexhepi mbikëqyri operacionin nga Ekuadori, një vend që u përshkrua në vitin 2019 si një nga ‘autostradat e kokainës’ në botë.

Prej kohësh ka qenë një pikë e favorizuar për pjesën më të madhe të narkotikëve nga Kolumbia fqinje, prodhuesi më i madh i kokainës në botë, në rrugën e tij drejt tregjeve amerikane dhe evropiane.

Sipas Europol-it, ajo që veçoi sindikatën e Rexhepit nga të tjerat ishte mënyra me të cilën ai kontrollonte të gjithë trenin e furnizimit, nga eksporti në burim, tek shitja me shumicë, deri te shitja në vendet evropiane.

Perandoria

Ai përdori teknologji të sofistikuar të komunikimit dhe një sistem transferimi parash të bazuar në para të gatshme dhe besim të ndërsjellë, i cili nuk linte asnjë gjurmë elektronike të transaksioneve.

E përsosur për pastrim. Në vitin 2014 Rexhepi  u arrestua në Quito dhe u dënua me 13 vite burg për trafikim.

Kjo sasi kokaine u kap nga DEA në SHBA dhe besohet të jetë pjesë e një ngarkese të kontrolluar nga Rexhepi i cili po krijonte rrugët e furnizimit nga Amerika e Jugut në Evropë.

Por ai vazhdoi perandorinë e tij të drogës nga qelia e tij, duke negociuar me kolumbianët dhe duke dërguar një numër në rritje të kokainës në Evropë çdo vit.

Studenti i dikurshëm i drejtësisë  tha se ishte detyruar të trafikonte drogë nga sistemi i drejtësisë ‘i padrejtë dhe i kalbur’ në Shqipëri, i cili gabimisht – tha ai – e akuzoi atë për vrasje.

Si njeri i kërkuar nga policia, tregtia e drogës ishte e vetmja ‘mënyrë për të bërë diçka tjetër me jetën time’, tha ai në një intervistë me një gazetar shqiptar.

Intervista u krye me telefon nga qelia e tij e burgut në Ekuador. Rexhepi kishte një celular i cili funksiononte me rrjetin e koduar Encrochat,  i cili përdoret nga kriminelët.

Prengat dhe Rexhepi

Ishte ndoshta i njëjti telefon që Rexhepi i telefononte vëllait të Jak Prengës. Rrjedhja e ngjarjeve që çuan në rrëmbimin dhe vrasjen e supozuar të Jak Prengës filloi në shtator 2019 në portin ekuadorian të Guayaquil, kur një anije mallrash që transportonte banane u nis për në Mbretërinë e Bashkuar.

Por përveç frutave, një prej kontejnerëve mbante 260 kilogramë kokainë, me vlerë 15-20 milionë paund. Anija u ankorua në Portsmouth, Hampshire në fund të dhjetorit.

Dokumentet nga prokuroria shqiptare dhe transkriptet e intervistave policore të para nga Mail tregojnë se “Veri” Prenga dhe dy bashkëpunëtorë u punësuan nga ndërmjetës të lindur në Britani dhe Iran, për të marrë drogën nga porti në emër të dy bandave kriminale me bazë në Shqipëri.

Ata e realizuan këtë me sukses në fillim të janarit. Por më pas plani ndryshoi dhe pati pasoja fatale.

Korrierët shqiptarë dhe ndërmjetësit dyshohet se kishin rënë dakord për shkak të një pagese të mëparshme. Cilido qoftë motivi, “Veri” Prenga dhe disa nga bashkëpunëtorët e tij vendosën të mbanin kokainën dhe ta ndanin mes tyre.

Një javë pasi morën drogën, “Veri” Prenga mori një telefonatë nga një anëtar i vjetër i një prej bandave kriminale me bazë në Shqipëri. Ai kërkoi që ti rikthenin mallin. Tri ditë më vonë ai e telefonoi përsëri, duke thënë “mos bëj asnjë gabim. Droga më përket mua dhe dua të ma rikthesh”.

Menjëherë pas kësaj, Rexhepi telefonoi Ndrek Prengën në qelinë e tij të burgut. Sipas dokumenteve të prokurorisë, i zoti i drogës, i cili u prezantua si “Gramozi nga Vlora” i tha Ndrek Prengës “mos luaj me këto gjëra (drogën), sepse ato janë gjërat tona”.

Komunikimi vazhdoi për disa ditë derisa një prej shefave të Kompanisë Bello telefonoi “Veri” Prengën në Shqipëri dhe i tha se ata kishin ‘hequr dorë’ nga negociatat. Duke pasur parasysh burrat dhe shumën e parave të përfshira, kjo mund të konsiderohej si diçka negative.

Rrëmbimi i Jak Prengës

Në mëngjesin e 17 janarit të vitit 2020, Jak Prenga, 49 vjeç, piu kafe me gruan e tij dhe më pas shkoi për të përfunduar disa punë. Sipas dëshmitarëve, ai u rrëmbye me dhunë nga katër burra të maskuar, duke lënë gjurmë gjaku ndërsa u fut në një Range Rover të bardhë.

Disa orë më vonë, policia informoi gruan e tij. Vëllai i tij Ndrek Prenga, u njoftua nga Dritan Rexhepi nga Ekuadori.

“Unë të kam dhënë fjalën time, vëllai juaj do të lirohet, (nëse) Veri rikthen mallin tonë”.

Pasi Anton Prenga u tregoi çfarë kishte ndodhur, ai takoi vëllain e tij Verin në një kafene në Londër. Në një deklaratë të mëvonshme të policisë shqiptare, Antoni i tha Verit se arsyeja e rrëmbimit ishte ngarkesa e kokainës që kishte marrë.

Një pjesë prej të cilës ai e kishte shitur tashmë.

Të nesërmen Antoni udhëtoi për në Shqipëri. Çështja e vëllait të tij ishte delikate sa i përket policisë. Mbi të gjitha, bëhej fjalë për një mosmarrëveshje mbi një sasi të madhe kokaine.

Kanuni

Por në Shqipëri ekziston një mënyrë tjetër për të zgjidhur probleme të tilla – kanuni. Ky është një kod mesjetar i ligjit shqiptar, bazuar në konceptin e besës – nderit personal.

Ai përcakton se çfarë mund ose duhet të bëhet për të marrë dëmshpërblim në rast vjedhjeje dhe vrasjeje. Gjakmarrja, një koncept i ligjshëm nën kodin e kanunit, është shumë i ngjashëm me hakmarrjen italiane dhe thuhet se ka shkaktuar mijëra vdekje që nga vitet ‘90, kur ra sundimi i ligjit.

Antoni i tha policisë se u takua me të afërmit e bosëve të bandave shqiptare dhe filloi negociatat përmes një ndërmjetësi. Sipas deklaratës së policisë së Antonit, më 22 janar, Veri dhe një bashkëpunëtor shqiptar u dorëzuan 106 kilogramë kokainë – pjesën e tyre të drogës së vjedhur – ndërmjetësve polakë të dërguar nga karteli i drogës.

Ata paguan gjithashtu 700 mijë paund, shuma e kokainës që ishte shituar tashmë. Në të njëjtën ditë, Rexhepi telefonoi përsëri nga Ekuadori për t’u thënë vëllezërve Prenga se Jaku do të lihej i lirë “brenda dy orësh”.

Pas shumë telefonatash midis Amerikës së Jugut dhe Evropës, i zoti i drogës siguroi Prengën se Jaku ishte në gjendje të mirë shëndetësore dhe se do të lirohej.

Por kjo nuk ndodhi. Rexhepi telefonoi Ndrek Prengën dhe i tha se burrat që kishin marrë Jakun nuk e kishin mbajtur fjalën dhe si çështje e besës, ai ishte i detyruar t’i jepte familjes Prenga emrat e rrëmbyesve, në mënyrë që ata të bënin me ta atë që dëshironin.

Gjë që ai bëri. Ose të paktën emrat e burrave për të cilët ai tha se ishin të përfshirë.

Vdekja e Prengës

Ndërkohë policia shqiptare – e ndihmuar nga NCA (Agjencia Kombëtare e Krimit) kishte përparuar me hetimet. Përmes xhirimeve të CCTV dhe provave të tjera ata gjurmuan largimin e Range Rover-it  – një vend dasmash luksoze në bregdetin Adriatik, 30 minuta larg.

Në pamjet e mëtejshme të kamerave nga parku i makinave shihet një qese e madhe të zezë që po dërgohej nga makina e vjedhur në një furgon. Burrat mund të shiheshin duke fshirë gjurmët e gjakut nga vendi i ngjarjes. Furgoni më pas u largua për në një vend të panjohur. Range Rover më vonë u gjend i djegur.

Policia beson se në qesen e zezë gjendej trupi i Jak Prengës. Një zëdhënës i policisë shqiptare deklaronte se “hetimi i policisë ka arritur në përfundimin se Prenga është qëlluar  dhe ka vdekur për shkak të gjakderdhjes. Rrëmbimi ndodhi pasi vëllai i Prengës ishte përfshirë në aktivitete kriminale në Mbretërinë e Bashkuar”.

Anton Prenga i tha policisë se “Ne si familje dhe vëllezërit e mi të tjerë nuk kemi probleme me asnjë qytetar tjetër”.

Sipas tij, incidenti i rrëmbimit të Jak Prengës – vëllait të tij – erdhi vetëm si rezultat i Ver Prengës, i cili kishte vjedhur lëndë narkotike në Angli.

Sipas Europol-it, vëllezërit Altin dhe Emiljan Hajri ishin të përfshirë në rrëmbimin e Jak Prengës.

Përditësimi i situatës

Policia arrestoi shumë të dyshuar, por 18 muaj më vonë, askush nuk është dënuar për rrëmbimin dhe vrasjen e Jak Prengës. Vetëm një burrë, që dyshohet se është parë duke mbajtur një lopatë është në paraburgim.

Gruaja e Jakut tha për Daily Mail këtë javë se ajo është shumë e zhgënjyer nga mënyra se si autoritetet e trajtuan çështjen.

Dhe për shkak të mungesës së trupit ajo është e pikëlluar. Ajo ende ka shpresë se ai mund të jetë gjallë. Vitin e kaluar Europol-i njoftoi se pas një operacioni policor pesë-vjeçar të udhëhequr nga Italia, Kompania Bello e Rexhepit është “shkatërruar”.

U arrestuan më shumë se 100 persona në të gjithë Europën, Lindjen e Mesme dhe Amerikën e Jugut, duke përfshirë Mbretërinë e Bashkuar. Autoritetet shqiptare besojnë se ishte Rexhepi, ai që urdhëroi rrëmbimin nga qelia e tij e burgut në Ekuador.

Ai ka mohuar çdo akuzë të tillë.

“Unë i bëj thirrje kujtdo që e di se ku është fshehur trupi i viktimës të njoftojë autoritetet”, tha ai në intervistën e tij për “Encrochat”. Pasi të vuajë dënimin në Amerikën e Jugut, ka të ngjarë të ekstradohet në Shqipëri për të vuajtur dënimin e tij.

Burimet e sigurisë shqiptare thonë se Ndrek Prenga është liruar nga burgu por është në Mbretërinë e Bashkuar.

Një zëdhënës i Agjencisë Kombëtare të Krimit tha mbrëmë se besohet që “vdekja e Jak Prengës të jetë rezultat i një mosmarrëveshje për drogën”.

“Ne po vazhdojmë të punojmë me autoritetet shqiptare në lidhje me këtë incident. Ne nuk kemi të drejtën për  të konfirmuar ose mohuar arrestimin e vëllait të tij, Verit”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore