Lajme

Krimi i biter-it


Më 25 gusht 1962, Tranquillo Allevi, një tregtar djathi nga qyteza italiane e Arma di Taggia, në provincën e Imperia-s, mori me postë një pako nga Milano. Brenda saj, një kuti e vjetër biskotash, të mbushur me tallash, dhe një shishe qelqi e taposur.

Mbi sipërfaqen e qelqtë, ngjitur qe një etiketë me markën e një pijeje joalkoolike. Në kuti kishte edhe një letër përcjellëse, pa asnjë tregues se nga vinte, ku shkruhej:

“I dashur zotëri, meqenëse kemi ndër mend të hedhim në treg këtë aperitiv të ri, duke dashur që ju të keni përfaqësimin e saj në zonën tuaj, po ju shqetësojmë, duke ju dërguar një mostër për provë. Ju lutem, shijojeni!”.

“Një nga përfaqësuesit tanë do të vijë të takohet me ju, për të marrë mendimin tuaj. Ne duam të dimë nëse është siç do e dëshironit dhe nëse ju duket e këndshme pasi ta keni shijuar”.

Një shkarravitje mbyllte letrën si një nënshkrim.

Kureshtar, Allevi nxitoi të shijonte pijen joalkoolike bashkë me dy shokë. Ai vdiq në orën 10:40, të po asaj dite, nga dhimbje të forta, ndërsa dy miqtë arritën të shpëtonin për fije të perit.

Nga gazetat e asaj kohe, u quajt “krimi i biteri-t”. Përzier me pijen joalkoolike, ata gjithashtu gjerbën një dozë të mirë helmi strychnine.

Por kush mund ta kishte sajuar vdekjen e tij përmes asaj hileje groteske?

Hetimet u drejtuan kah mjedisit përreth tregtarit dhe gruas së tij të re. Hetuesit filluan të gërmonin në historinë familjare të viktimës.

Historia fillonte në Morghengo, në një fshat të provincës së Novara-s, ku Tranquillo kishte menaxhuar një fermë bagëtish dhe gjithashtu i kishte vjedhur të dashurën vëllait të tij.

Renata Lualdi, një rioshe bukuroshe, flokartë dhe, sipas thashethemeve të fshatit, gjithashtu shumë e zgjuar në marrëdhëniet me burrat.

Jeta familjare e çiftit nuk ishte aspak e qetë dhe do të rëndohej edhe më pas problemeve financiare që u lindën.

Të detyruar nga rrethanat, mbas pak kohësh, Tranquillo dhe Renata u shpërngulën në Rivierën e Liguria-s perëndimore.

Aty, Tranquillo ia nisi nga e para, me tregtinë e djathit dhe produkteve të qumështit.

Në të njëjtën kohë, braktisja e fshatit të Morghengo-s, ishte edhe përpjekja e Tranquillo-s për t’i dhënë fund marrëdhënies dashurore midis gruas së tij dhe Renzo Ferrari-t, një veteriner nga qyteti fqinj i Barengo-s. Një beqar miklues, një dashnor i kamur dhe qejfli i makinave dhe grave të bukura.

Në fshat, të gjithë ishin të vetëdijshëm për lidhjen midis Renatës dhe Renzo-s. Një dashuri e lindur në fermë, kur veterineri shkonte për të vizituar kafshët e fermës së Tranquillo-s.

Ai ishte në dijeni të tradhtisë së bashkëshortes, por ajo me “veterinerin” nuk qe një njohje e rastit, por një marrëdhënie e vërtetë dhe kjo e bezdiste.

Renata dhe Renzo qenë pre e një pasioni dërrmues. Ata shiheshin duke bërë dashuri ngado, në hambar, në shtratin e lumit, në shtëpinë e tij, por edhe në shtëpinë e saj. Kërcënimet e burrit ndaj të dashurit të gruas ishin më se të kota.

Ndaj Tranquillo merr vendimin për t’u larguar nga Liguria.

Sapo Renata mbërrin në Arma di Taggia, nuk vonon dhe gjen një dashnor tjetër. Por veteriner Ferrari-t nuk i shqitej nga mendja. Ai mendonte veçse si ta çlironte Renatën nga burri i saj. Kështu komplotoi vrasjen e biter-it.

Për toger-in e policëve të Sanremo-s, Teobaldi, zbulimi i vrasësit qe si lojë fëmijësh. Kishte shumë gjurmë që Ferrari kishte lënë pas.

Data në pullën e pakos korrespondonte me ditën kur Ferrari kishte qenë në Milano.

Provë tjetër ishin shishkat e strychninës, të cilat veterineri i bleu në një farmaci aty, afër fshatit. Dhe, mbi të gjitha, makina e shkrimit me të cilën ishte shkruar letra shoqëruese, ishte gracka e fundit në të cilën kishte rënë Tranquillo Allevi.

Përkundër numrit të provave që e akuzonin, Ferrari gjithmonë do ta mohonte se e kishte kryer atë krim.

Ai u gjykua në Shkallën e Parë, në mars 1964, për vrasje dhe tentativë vrasje të dyfishtë dhe u dënua me 30 vjet burgim. Apeli dhe Gjykata e Lartë e rrëzuan vendimin dhe e dënuan Ferrari-n me burgim të përjetshëm.

Pas 22 vitesh, kur Ferrari ishte 65 vjeç, do të fitonte faljen presidenciale.

Ai do të vdiste dy vjet më vonë, nga një iktus cerebral në Barengo-n e tij.

Po Renata? Ajo jetoi më pas në Arma di Taggia, ku do të punonte si kujdestare fëmijësh.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore