Kosova

“Krimet më të mëdhaja kanë ndodhur në kohën kur ju keni qenë drejtor i Policisë”, debat i ashpër mes Bajqinofcit dhe Qalajt


Mefail Bajqinofci dhe Rashit Qalaj.

Deputetit i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinofci, ka reaguar ndaj deklaratave të deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Rashit Qalaj, i cili ka thënë se në kohën e Lëvizjes Vetëvendosje, serbët e kanë vendosur flamurin në autoblindën e Republikës së Kosovës.

Bajqinovci, në seancën e Kuvendit të Kosovës ka thënë se opozita në këtë rast po vepron kundër shtetit.

“Unë dua të ja kujtoj që në kohën e Partisë Demokratike, policët e policisë kufitare me kallashnikov Serbia t’i ka shtrirë për toke në kohën tënde kur ke qenë drejtor dhe kur Partia Demokratike e ka udhëhequr ministrinë e Punëve të Brendshme, pra kjo është në 2012”.

“E përderisa nuk ka përfunduar ballafaqimi me Serbinë, politika kosovare i detyrohet interesit madhor të Republikës së Kosovës që me rreth Serbisë, minimumi i përgjegjshmërisë politike të partive politike në Kosovë do të duhej të ishte pikërisht ky qëndrim unik përballë Serbisë së kriminelit të luftës, Aleksander Vuçiç”, ka thënë Bajqinovci.

Por, sipas tij, po ndodh e kundërta në kohën kur duhet të kenë unitet, në Kuvend po mbahet seancë e jashtëzakonshme.

“Kur organet e Kosovës ndeshen me kriminelët e Vuçiç-it, kemi seancë të jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës që thirret për ta akuzuar kryeministrin e Kosovës me legjimitetin më të madh politik e moral përse po e trazon çerdhen e krimit të organizuar”.

Sipas tij, kjo luftë po bëhet kundër modelit të kryeministrit të Kosovës.

“Sa herë e ka dashur puna bashkë me çdo veprim në çdo hap të koordinuar si mos më mirë ka qenë opozita jonë, me listën e Vuçiç-it në stilin “na bashkon kënga popullore” apo thënë ndryshe “na bashkon lufta kundër modelit të Albin Kurtit”.

Pas këtyre deklaratave, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Rashit Qalaj, është sqaruar rreth akuzave që i ka bërë Bajqinovci.

Duke thënë se policia në atë kohë ka qenë e zënë duke u marrë me mbrojtjen e institucioneve.

“Është e vërtetë ajo që tha deputeti i Bajqinovcit që në mars të vitit 2012, ka ndodhur aj incident dikund në një mal në periferi të Podujevës dhe kanë qenë policë të policisë kufitare. Por, ka qenë një problem meqenëse i tërë kapaciteti i Policisë së Kosovës, ka qenë i angazhuar për vite të tëra në Prishtinë, duke e mbrojtur këtë godinë, duke e mbrojtur ndërtesën e Qeverisë, rektoratin, biznesin, duke i mbrojtur njerëzit e pafajshme që i keni rrahur rrugëve në prani të bashkëshorteve”.

“Pra, ka qenë policia e ngarkuar shumë duke i bastisur zyrat e juaja ku janë gjetur gjëra ilegale”

“Gjëra që janë tmerr që kanë ndodhur”, ka thënë Qalaj.

Sërish ka pasur replikë nga Bajqinovci.

Ai i ka replikuar deputetit Qalaj, duke i thënë se në kohën kur ai ka qenë drejtor i Policisë së Kosovës, kanë ndodhur skandalet më të mëdhaja.

“Unë mendoj që kur e keni udhëhequr ju policinë kanë ndodhur skandalet më të mëdhaja. A e mbani mend kur i numërojshin paret zëvendëset e juaja, e kur nuk u ndaleshin skandalet e vjedhjes brenda Policisë së Kosovës ku shumica e kolegëve të juaj janë merrur me fajde, u suspenduan, u arrestuan dhe ata kanë qenë kolegë të juaj”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore