Shqipëria

Kreu i Unionit të Gazetarëve për AP: Ndalimi i Prokurorisë, shkelje e lirisë së mediave


Vendimi i Prokurorisë së Tiranës për të ndaluar publikimin e të dhënave të hakeruara nga email-i personal i ish-drejtorit të Policisë së Shtetit, Gledis Nano, solli reagimin e menjëhershëm e palëve të prekura.

Së fundmi, Organizata e Reporterëve pa Kufij (RSF) e dënoi këtë vendim dhe e cilësoi si shkelje të lirisë së medias.

Në të njëjtën linjë qëndron edhe Unioni i Gazetarëve në Shqipëri.

Aleksandër Çipa, kreu i këtij unioni, në një prononcim për Albanian Post deklaroi se reagimi i tij përkon me reagimin pasues të RSF-së.

“Vendimi i prokurorit të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor të Tiranës është absurd, pasi ndalon publikimin e materialeve të publikuara, prej një sulmi kibernetik. Ky vendim është njëjtë si t’i thuash publikut: mos i lexo afishet që janë shpërndarë natën nëpër qytet”, thotë Çipa.

Sipas tij pas reagimit të UGSH-së kanë ardhur edhe reagime të njëjta nga organizata dhe aktorë të mbrojtjes së lirisë së medias në vend dhe në hapësirën ndërkombëtare.

Por, Çipa thekson se shpërndarja përmes një sulmi kibernetik të të dhënave të rëndësishme të shtetit, institucioneve të rëndësisë së veçantë, kryesisht atyre të sigurisë kombëtare dhe rendit është një agresion me pasoja dhe me kosto ende të pallogaritshme.

“Nisur prej këtij vlerësimi ne kemi apeluar që institucionet në përgjithësi dhe ato të hetimit në mënyrë të veçantë ëahtë e nevojshme të sendërtojnë një partneritet institucional me editorin shqiptar të të gjithë spektrit multimedial në vend”, thotë kreu i unionit për AP-në.

Nga ana tjetër, RSF-ja tha se asnjë gazetar nuk duhet të kërcënohet me dënime me burg nëse mbulon tema me interes publik si kërcënimet ndaj institucioneve shtetërore dhe krimi i organizuar në përputhje me etikën mediatike.

Ndërsa, Çipa ka apeluar për rritjen e përgjegjësisë dhe ndërgjegjes ndaj sigurisë dhe rendit apo të të dhënave personale në përgjithësi, në kontekstin e atij agresioni kibernetik të ndodhur mbi vendin tonë.

I pyetur se cili do të ishte vendimi i duhur që mund të ndërmerrte Prokuroria, ai shprehet se ajo mund ta përdorte këtë moment si një proces të komunikimit të hapur publik me mediat jo në pozicionim urdhërues, por në ftesë të përsëritur partneriale dhe në emër të përgjegjësisë publike.

“Marrëdhëniet me lirinë dhe sidomos me lirinë e raportimit, janë përherë dhe kudo delikate, por për vende si ky i yni, janë edhe më në risk kur bëhet fjalë për sjellje apo qëndrime autoritare apo diktuese”.

RSF dënon vendimin e Prokurorisë për ndalimin e publikimit e të dhënave të hakeruara

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore