Kosova

Kreu i LV-së: Qeveria Kurti 1 s’zgjati shumë, na qëlloi partneri jo i qëndrueshëm për interesa shtetërore e kombëtare


Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministër i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të LV-së ka thënë se qeveria Kurti 1 “siç po e quajnë ata që kanë qejf të numërojnë”, nuk zgjati shumë sepse “na qëlloi partneri jo i qëndrueshëm për interesa shtetërore e kombëtare”.

“Por, gjatë atyre muajve që qëndruam në drejtim, e luftuam drejtpërdrejt korrupsionin, e mbrojtëm Kosovën, duke hequr nga bordet ata që s´e meritonin, duke rezistuar suksesshëm projektin për shkëmbim territorial, dhe duke vendosur gjithandej profesionistë të ndershëm e duke e afruar popullin i cili e donte Republikën më shumë se çkado tjetër”, tha Kurti.

Por sipas tij, në shkurt të vitit 2021, partia e tij i fitoi zgjedhjet serish, “kësaj radhe me një rezultat historik, që nuk ka precedent në Kosovë”.

“E sot e kemi qeverinë sërish nën drejtimin e LV në aleancë me Guxo e Alternativën, që po e quajnë qeveria Kurti 2, ata që kanë qejf të numërojnë. Nuk do t´ua prishim qejfin, nuk do t´ua ndalim numërimin”.

Megjithatë, ai thotë se ka pasur edhe momente jo fort të mira, siç ka qenë performanca në zgjedhjet lokale.

Kurti përmendi edhe disa emra brenda partisë që sipas tij janë angazhuar që LV-ja të t’i fitoj zgjedhjet.

“Rexhep Selimi, aktivisti ynë, deputeti në Kuvendin e Republikës, gjenerali i UÇK-së, që e kishim anëtar kryesie, e kishim edhe kryetar të Grupit Parlamentar të LV për të cilin kemi shumë krenari dhe mall, paçka se çmallemi kur kontaktojmë me të”.

“Por jam i sigurt se shpejt do ta kemi sërish, teksa urojmë që të lirohet nga ato akuza të pabaza që i janë bërë atij dhe të tjerëve. UÇK-ja ishte dhe është e drejtë dhe do të dalë e pastër, edhe nga gjyqet e imponuara padrejtësisht nga politikanë të cilëve u mungonte largpamësia”.

Kreu i Qeverisë së Kosovës po ashtu listoi të arriturat e ekzekutivit të tij gjatë këtij mandati, derisa theksoi se Rusia po vepron siç kishte bërë Serbia.

“Sot në botë jemi dëshmitarë që është rikthyer politika fashiste, herë e drejtpërdrejtë, herë e maskuar. Politikë e sponsoruar nga Moska, nga Kremlini, nga Putini”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore