Shqipëria

Kreu i ILD-së: Komunikimi diplomatik për drejtësinë, ndihmon procesin integrues të vendit në BE


Artur Metani, inspektori i Lartë i Drejtësisë, i cili ka qenë i ftuar i Akademisë Diplomatike të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, ka thënë se një komunikim diplomatik për drejtësinë ndihmon procesin integrues të vendit në Bashkimin Evropian.

Këtë, teksa ka mbajtur ligjëratën “Roli i Inspektorit të Lartë të Drejtësisë në kuadër të reformës në drejtësi, sfidat e ecurisë së saj dhe diplomacia në raport me të”.

Raporti i KE: Frikësimi i gazetarëve nga zyrtarë të lartë shtetërorë mbetet shqetësim

Metani ravijëzoi në fjalën e tij vëmendjen që ka Unioni për shtetin e së drejtës e sundimin e ligjit, që u konkretizua me përfshirjen për herë të parë, të Shqipërisë e vendeve të tjera aspirante të rajonit, në Raportin vjetor të Komisionit Evropian mbi sundimin e ligjit.

“Jam i kënaqur me vlerësimet në raport sa i takon ILD-së dhe mendoj që kjo na inkurajon për të avancuar më shpejt në drejtim të përvetësimit e konsolidimit të standardeve të BE-së mbi sundimin e ligjit e shtetin e së drejtës”, ka thënë ai.

Metani mendon se “kontaktet që vendosim përmes takimit të sotëm na shërbejnë, që bashkë me ambasadorët, të prezantohet sa më mirë Shqipëria, edhe në drejtim të asaj çfarë po ndodh me reformën në drejtësi”.

Sipas tij, komunikime të tilla duhet të bëhen me të gjitha institucionet e drejtësisë, në mënyrë që të vijë panorama e plotë e sistemit.

“Nga vizitat e punës që kam patur tek institucione homologe e të drejtësisë të vendeve të Bashkimit Evropian e jo vetëm, kam vënë re interes të lartë për të kuptuar zhvillimet e drejtësisë në Shqipëri dhe reformën që është realizuar ”, ka shtuar Metani.

Kurse ambasadori i Shqipërisë në BE dhe Mbretërinë e Belgjikës, Ferit Hoxha, ka theksuar vëmendjen e BE-së për shtetin e së drejtës në Shqipëri, e reflektuar edhe përmes Raportit për sundimin e ligjit, që u publikua një ditë më parë dhe vlerësoi idenë e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për këtë lloj bashkëpunimi me diplomacinë për të shpjeguar ecurinë e zhvillimet e reformës në drejtësi në vend dhe prezantuar rezultatet sepse mbi ato do të gjykohet procesi i negocimit për anëtarësimin në BE.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore