Lajme

Krerët evropianë “njëzëri”: Negociatat me Shqipërinë “sot”


Presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, deklaroi para fillimit të samitit se Ballkani Perëndimor i përket Bashkimit Evropian.

Këtë të fundit e ka cilësuar madje si shtëpinë e tyre.

Lajmi u bë i ditur para fillimit të Samitit të Bashkimit Evropian, i cili po zhvillohet në Bruksel.

“Fuqia transformuese e zgjerimit është jashtë çdo dyshimi. Ne duhet të hapim dyert për vendet që shikojnë BE-në si shtëpinë e tyre”, u shpreh fillimisht Metsola.

Për shefen e PE-së, në kohë lufte duhen marrë vendime të guximshme.

“Ne duhet të fillojmë negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë dhe të liberalizojmë vizat për Kosovën”, ravijëzoi zyrtarja evropiane.

Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri të BE-së, Josep Borrell, ruajti një retorikë të ashpër kundrejt autoriteteve bullgare.

“Dialogu ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Bullgarisë, në kontekstin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE, nuk po përparon pozitivisht”, shtoi shefi i politikës së jashtme të BE-së.

Sipas tij, palët nuk janë aty ku duhet të ishin sa i takon çështjes së Ballkanit Perëndimor.

“Sot duhet të fillojmë negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe nuk mund ta fsheh zhgënjimin tim, që është i shumë njerëzve të tjerë”, theksoi në vijim Borrell.

Përfaqësuesi i unionit bëri thirrje se ka ende shpresë, por pa ditur se çfarë mund të bëjë parlamenti bullgar në orët e ardhshme.

Ky i fundit duket se “po ecën mirë”, nënvizoi ai.

Në përmbyllje, Borrell sqaroi se ka ardhur momenti që anëtarësia duhet të dijë të marrë vendime në Union.

Kjo, sepse nuk mund të vazhdojmë me “një vend të vetëm që bllokon të tjerët për muaj e muaj”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore