Kosova

Krerët e institucioneve kujtojnë vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zekën në përvjetorin e vrasjes


Jusuf Gërvalla, Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka.

Personalitete të institucioneve shtetërore të Kosovës, kanë kujtuar 42 vjetorin e vrasjes së vëllezërve Jusuf Gërvalla, Bardhosh Gërvalla dhe atë të Kadri Zekës, të mërkurën e 17 janarit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se mes atentateve politike në historinë moderne të Kosovës, rasti i tyre paraqet një dosje më vete.

Kurti, vrasjen e tyre e ka kujtuar përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’.

“Atentati ndaj Jusuf Gërvallës, Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës u krye 42 vite më parë, më 17 janar 1982. Ata u vranë ashtu siç ishte organizuar nga shërbimet e fshehta të Serbisë, që kishin bërë përvojë paraprakisht me atentate të ngjashme ndaj ekzilit politik kroat”.

“Atë të diele dimri dhe me borë në Gjermani, tre veprimtarët politikë shqiptarë të shënjestruar, Jusuf Gërvalla, vëllai i tij Bardhoshi dhe gazetari Kadri Zeka, sapo kishin dalë me makinë nga një garazhë në Untergrupenbach pranë Heilbronnit”.

“Fare pak metra më tutje, dy persona anonimë kishin dalë nga një punishte ndërtimi dhe me revolet e tyre kishin shtënë 12 plumba në drejtim të makinës”, ka shkruar Kurti.

Ai tutje ka thënë se nga koha kur janë vrarë më 17 janar 1982 dhe deri sot pas 42 vitesh kur po i kujtojmë, Jusufi, Bardhoshi dhe Kadriu janë kthyer në emra referencialë për të gjithë ata që janë angazhuar dhe kanë luftuar për lirinë e Kosovës.

“Lavdi Kadri Zekës dhe Jusuf e Bardhosh Gërvallës, për veprat e tyre atdhetare dhe për jetën e dhënë në rrugën për lirinë e Kosovës!”.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, në përvjetorin e tyre ka thënë se s’do të ketë forcë e cila do të ndëprejë rrugën që e kanë nisur.

“Në ballë të këtij populli dhe tek këmbët e këtij populli, flijimi dhe vdekja për realizimin e aspiratave të tij do të na vijnë si përjetimi më i bukur e më fisnik në gjithë jetën. Dhe nuk do të ketë forcë që të na ndalë në rrugën tonë të ndritshme”, ka shkruar Gërvalla.

Edhe ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka kujtuar vrasjen e vëlleëzërve Gërvalla dhe atë të Kadri Zekës.

Përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ai e ka quajtur “goditje të rëndë” vrasjen e tyre.

“Sot 42 vjet më parë, në Gjermani, në një atentat të planifikuar në detaje nga UDB-ja jugosllave u vranë tre kolosët e lëvizjes për liri, Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka dhe Bardhosh Gërvalla”.

“Rënia e Jusufit, Kadriut dhe Bardhoshit sa ishte një goditje e rëndë për lëvizjen për liri, aq ishte kushtrim për rininë e kohës, kurse vepra e tyre u bë frymëzim për gjenerata të tëra”, ka shkruar ai.

Duke shtuar se ata u shndërruan në “udhërrëfyes të përhershëm”, të Kosovës.

“Janari i vitit 1982 “qau me lot bore” e këta djem Kosove u shndërruan në udhërrëfyes të përhershëm të lëvizjes ilegale për liri. Kitarës së Jusufit i pushoj teli por kënga për të nuk pushoi për 42 vjet dhe do të vazhdoj të jehoj përgjithmonë, anekendë trojeve për të cilat u flijuan tre kolosët tanë”.

“Lavdi jetës dhe veprës së Jusufit, Kadriut dhe Bardhoshit. U përjetësofshin idealet e tyre!”.

Më 24 shkurt të 2002, në Kosovë, u rivarrosën me nderime Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, eshtrat e të cilëve u sollën nga Gjermania, ku ishin vrarë 20 vite më parë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore