Shqipëria

Kredia për biznes arrin rritjen më të madhe prej një dekade në gjysmën e parë të vitit, sipas Bankës së Shqipërisë


Kredia për bizneset është mesatarisht me 12% në gjysmën e parë të vitit 2024, duke shënuar kështu një rekord të vërtetë të dekadës së fundit.

Përmes një publikimi nga Banka e Shqipërisë, është bërë me dije se financimi i bizneseve nga bankat është rritur ndjeshëm në gjashtëmujorin e parë të vitit, duke reflektuar gatishmërinë më të lartë të bankave për financimin e kërkesës së shtuar të bizneseve për kreditim.

Krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar, rritja e kredisë për biznesin ishte rreth dy herë më e lartë. Gjatë gjashtëmujorit të parë, bankat kanë kredituar kryesisht biznesin e madh dhe sektorin e tregtisë.

Tendencat e vërejtura në fund të vitit 2023 janë mbartur edhe në fillim të këtij viti, me një zhvendosje të kredisë drejt monedhës lek, ndërsa sipas qëllimit po dominon rritja e kredisë për financimin e investimeve.

Kredia në lekë për biznese shënoi rritje me norma dyshifrore, prej 17.4% në gjashtëmujorin e parë. Megjithatë, në tremujorin e dytë të vitit u vërejt edhe një rigjallërim i kredisë në valutë, që shënoi një normë të përmirësuar rritjeje duke kulmuar në 12% në muajin qershor.

Ndërkohë fenomeni i zhvendosjes së portofolit të kredisë nga euro në lekë ka vijuar edhe gjatë kësaj periudhe, por në nivele më të ulëta se ai i vërejtur gjatë vitit 2023.

Sipas madhësisë së bizneseve, ka qenë kredia për biznesin e madh, ajo e cila ka ndikuar në përshpejtimin e normave të rritjes. Kredia për biznesin e madh, mbasi shfaqi stanjacion në dy vitet e fundit, ka treguar një rritje të fortë të financimit nga bankat në gjashtë muajt e parë të vitit. Ajo shënoi një nga nivelet më të larta të rritjes prej 18%, nga 2% në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2023.

Banka e Shqipërisë thekson se zgjerimi i kredisë së biznesit të madh reflekton, ndër të tjera, edhe financimin e projekteve infrastrukturore të qeverisë.

Paralelisht, portofoli i kredisë për biznesin e vogël dhe të mesëm u rrit me 6% gjatë pjesës së parë të viti 2024, normë kjo lehtësisht më e ulët se rritja prej 7% e shënuar në vitin 2023.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore