Kosova

Krasniqi skeptik për mocionin e AAK-së: Deputetët e VV-së s’e tradhtojnë Kurtin


Memli Krasniqi

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, në një intervistë për transmetuesin “Klan Kosova”, ka shprehur skepticizmin e tij lidhur me mocionin e propozuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës për rrëzimin e qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti.

Arsyeja që PDK-ja nuk e ka përkrahur mocionin e iniciuar nga kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, të paktën deklarativisht, sipas kreut të PDK-së, ka qenë vlerësimi fillestar se mocioni nuk do të ketë sukses, ngase nuk i kanë votat e mjaftueshme, ndërsa ka shtuar se nuk llogarisin në votat e Listës Serbe.

“Mocioni nuk mundet me qenë i suksesshëm në konstalacionin aktual politik… krejt opozita bashkë jemi 41-42 deputetë… Ku munden me i gjetë tri partitë opozitare edhe 20 deputetë nga Lëvizja Vetëvendosje. Kush është ai që beson që deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje do ta tradhtojnë Albin Kurtin”, ka thënë Krasniqi.

Me një të tretën (1/3) e deputeteve të përgjithshëm të Kuvendit të Kosovës apo me nënshkrimet e 40 deputeteve të Kuvendit të Kosovës mund të kërkohet që të vihet në votim mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë së Kosovës. Për të kaluar mocioni, duhen votat e shumicës së deputetëve, pra 61 vota pro.

Krasniqi ndër të tjera ka thënë se PDK-ja është e gatshme që në seancën plenare të 27 korrikut (nesër) apo në atë të 28 korrikut, të merren vesh me ekzekutivin për shpërndarjen e legjislativit me mocion procedural, por jo me mocion mosbesimi siç po kërkon aktualisht AAK-ja.

“Kemi seancë nesër dhe pasnesër. Unë jam i gatshëm që për 24 orë të merremi vesh për një mocion procedural, të shpërndahet Kuvendi i Kosovës qysh të enjten apo të premten dhe të shkojmë në zgjedhje”, ka deklaruar kreu i PDK-së në këtë paraqitje televizive.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore