Lajme

Krasniqi për propozimin franko-gjerman: S’ka shqiptar që e pranon


Sikur Memli Krasniqi të ishte kryeministër  i Kosovës, ai nuk do ta pranonte planin e ashtuquajtur franko-gjerman.

Duke folur për televizionin T7, Krasniqi tha se e ka parë planin dhe ai nuk është i pranueshëm. Jo vetem nga Krasniqi, por nga askush në politikën kosovare.

“Drafti aktual i këtij që është sot, nuk besoj që ka ndonjë parti shqiptare që mundet me votu. Nuk është përgjegjësi e imja me tregu. Ai draft i është dorëzuar kryeministrit dhe presidentes”.

“Ashtu siç është sot plani franko-gjerman nuk do të pranohet nga askush”, shtoi ai.

“Plani sot me qenë merre ose leje, është leje, por plani si i tillë duke u bazuar nga përvojat në të kaluarën, duke u bazuar në përvojat që kemi pas, që kanë filluar shumë keq dhe pastaj janë bërë të pranueshme, mendoj që duhet të shfrytëzohet, në mënyrë që të përkushtohemi që t’i realizojmë objektivat e Republikës së Kosovës”.

Ndryshe, Krasniqi edhe më parë kishte thënë se pranimi i tij nga institucionet e Kosovës është çështje problematike.

“Nga ajo që po i dëgjojmë edhe zyrtarët gjermanë edhe francez duke thënë, është një projekt apo një propozim evropian, i mbështetur siç ka deklaruar edhe emisari Eskobar, i mbështetur 100 për qind nga Shtetet e Bashkuara dhe nga ajo që unë e kam parë është problematike që të pranohet si i tillë”, theksonte ai.

Për shkak se “korniza e re” e dialogut ka pasur një koncentrim të vëmendjes dhe të interesimit nga komuniteti ndërkomëtar, Krasniqi konsideronte se Kosova duhet ta trajtojë seriozisht propozimin e ndërmjetësuesve evropian për t’i zgjidhur problemet e hapura mes Prishtinës dhe Beogradit.

Çfarë parashihet me planin franko-gjerman?

Nëse Kosova dhe Serbia nënshkruajnë marrëveshjen e bazuar në propozimin franko-gjerman, atëherë Serbia do të pajtohet që ta respektojë ekzistencën e Kosovës dhe ta trajtojë si një realitet të ndarë juridik, derisa Kosova duhet të pranojë se do të zbatojë të gjitha marrëveshjet paraprake, përfshirë edhe Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Propozim – marrëveshja është pagëzuar “Marrëveshja Bazë për statusin e raporteve”, dhe nenet kryesore janë të bazuara në kartën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, nga e cila rregullohen raportet ndër-shtetërore.

Ndërkaq, duke marrë parasysh atë se çfarë parashihet me propozimin franko-gjerman, analistët politikë në vend kanë vlerësuar se Kosova duhet ta pranojë këtë projekt.

Ndryshe, propozimi është përkrahur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, kurse Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka potencuar se është “bazë e mirë për diskutime të mëtejshme”, ndërsa Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka deklaruar vazhdimisht se ajo që ka parë është “e vështirë për Serbinë”.

Albanian Post ka publikuar ekskluzivisht dokumentin franko-gjerman.

Ekskluzive: Dokumenti i propozimit franko gjerman – Përmes Nenit 1, 2 dhe 3 Serbia pranon ekzistencën e Kosovës, Neni 9 detyron Kosovën ta themelojë Asociacionin

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore