Krasniqi: Ora policore e panevojshme, masat e qeverisë janë skandaloze

SHFLETO

Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.

 

, Dreni Himbeqa
27.01.2022 12:18
Loading Icons...

Në seancën e Kuvendit të Kosovës, të enjten deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi është shprehur se ora policore ka qenë e panevojshme.

“Kufizimi i lirisë, lëvizjes e veçanërisht operimi me orë policore pothuajse i jep një konotacion metik virusit, thuajse aj del natën e bën kërrdin në Kosovë e ditën e ka pushim”.

Përveç kësaj Krasniqi, ka thënë se vendim tjetër skandaloz ishte edhe kërkimi i tri vaksinave për të hyrë në Kosovë.

“Ora policore përveç që është e panevojshme është e palogjikshme, por së fundi patëm edhe një vendim skandaloz që nuk ki si ta quajsh ndryshe vendosja e masës për të hyrë në Kosovë vetëm me tri doza të vaksinës, në kohën kur në Kosovë vetëm rreth katër për qind e qytetarëve kanë marrë dozën e tretë”.

Ndërsa, për masat e njëjta që janë vendosur si për ata të vaksinuar si për ata që janë të pavaksinuar, Krasniqi ka thënë se stimulohet mosvaksinimi.

“Çfarë stimulon kjo. Nëse u themi qytetarëve vaksinohnu për ta mbrojtur shëndetin e në fund nuk i bën të dallueshëm prej të pavaksinuarve, atëherë stimulon mosvaksinimin”, ka thënë Krasniqi.

“Kjo përmban një lloj absurditeti i cili nuk mund të themi se është krejtësisht i paqëllimshëm”.

Për ministrin e Shëndetësisë, Rifat Latifi, deputeti nga radhët e PDK-së tha se qeveria Kurti e ka lënë si ministër të hendikepuar.

“Qeveria e ka lënë këtë ministër të hendikepuar, duke ja shkurtuar buxhetin për 48 për qind”.

Ai ka kërkuar sqarim edhe për qendrat e vaksinimit në Prishtinë.

“Sa qendra të vaksinimit janë të hapura në Prishtinë, e dimë që e kemi një në lagjen Kalabria, pastaj është thënë që është edhe një ekip mobil i cili nuk është mobil pasi është bërë statik i stacionin tek Albi Mall”.

Shemsedin Dreshaj

AAK-ja rekomandon që vaksinimi të bëhet obligativ

Në anën tjetër, deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që ta bëjë obligativ vaksinimin kundër COVID-19

Ndërsa nga kryeqeveritari Kurti ka kërkuar, hapjen e kufijve të vendit në veçanti atij të Shqipërisë pasi që kërkimi i dozës së tretë të vaksinës në kufijtë e republikës së Kosovës nuk kontribuon në asgjë.

“Pandeminë e kemi brenda territorit”, ka theksuar Dreshaj.

Sipas deputetit opozitare numri i rasteve të hospitalizuara nga COVID-19 pritet të rritet katër pesë ditët e ardhshme e me të fatkeqësisht edhe rastet që kanë ecuri të pa favorshme.

“Të kota janë masat shtrënguese kufizuese si ora policore dhe shkurtimi i orarit të gastronomisë, nëse populli nuk e respekton distancën sociale, mbajtjen e maskave”, ka shtuar ai.

Dreshaj, ka tërhequr edhe një paralele në mes të shtrëngimit të masave në Kosovë me krizën energjetike në vend.

“Shkurtimi i orarit të gastronomisë dhe ora policore më shumë i kontribuon uljes së harxhimit të energjisë elektrike sesa menaxhimit të pandemisë, nuk luftohet pandemia me orë policore, por me masa shëndetësore”.