Lajme

Krasniqi: Një lojë po zhvillohet mes Kurtit dhe Vuçiç-it se cili është “djali i mirë” te ndërkombëtarët


Memli Krasniqi

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, në një intervistë për Radio Televizionin 21, ka thënë se s’do të ketë nënshkruhet asnjë marrëveshje në takimin e nivelit të lartë në Ohër mes kryeministrit Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë.

Krasniqi edhe njëherë theksoi se edhe nëse ndodhë të nënshkruhet Propozim-Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve nga kryeministri Kurti dhe Aleksadër Vuçiç, partia e tij nuk do të përkrah atë.

“Unë aspak nuk jam i bindur se marrëveshja do të realizohet dhe këtë dua ta themi hapur. Këtu çka është duke u zhvilluar esencialisht është një lojë mes kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiç se cili është ‘djalë i mirë’ në sytë e ndërkombëtarëve”, tha ai.

Kosova dhe Serbia do të zhvillojnë proces negociator nën lehtësimin e Bashkimit Evropian mbi bazën e 11 pikave të atij që quhet tash zyrtarisht “Marrëveshja për rrugën e normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë”.

Kreu i PDK-së është 100 përqind i bindur se më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut nuk do të nënshkruhet asgjë, për shkak se, siç nënvizoi ai, palët kanë akoma dallime rreth zbatimit të propozimit evropian.

“Sot ua them me bindje të plotë se të shtunën nuk do të nënshkruhet asgjë, ashtu siç nuk është nënshkruar më 27 (shkurt) në Bruksel. As në Ohër të shtunën nuk do të ketë kurrfarë nënshkrimi. Jam 100% i bindur, më mbani për fjale”, tha Krasniqi.

Më 18 mars, shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, dhe i dërguari i unionit për dialogun, Mirosllav Lajçak, fillimisht do të mbajnë takime dypalëshe me Kurtin dhe Vuçiç-in, dhe më pas është paraparë të mbahet takimi i përbashkët.

Takimet dypalëshe pritet të nisin paraditen e së shtunës. Kryeministri Kurti është shprehur i gatshëm që gjatë takimit të Ohrit të nënshkruajë propozimin evropian, por Vuçiç ka shprehur qëndrimin se nuk i shkon “në mendje” të nënshkruajë “kapitullimin e Serbisë”.

Diplomatët perëndimorë shpresojnë që të arrihet përparim në takimin e 18 marsit në Ohër të Maqedonisë së Veriut disa ditë para se shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, të raportojë në Këshillin Evropian për rrjedhën e bisedimeve Kosovë – Serbi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore