Lajme

Krasniqi nga Italia: PDK-në dhe mërgatën e ka lidhur kauza për liri


Memli Krasniqi

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka qëndruar në Itali, ku ka marrë pjesë në një organizim të thirrur nga dega e PDK-së atje, derisa ka thënë se partinë që ai udhëheqë dhe mërgatën i ka lidhur kauza për liri.

“Nder dhe kënaqësi të qëndroj në mesin e qindra bashkatdhetarëve – përkrahësve dhe aktivistëve të Partisë Demokratike të Kosovës, në një tubim madhështor në Itali, të organizuar nga Dega jonë këtu, për nder të 16-vjetorit të Pavarësisë”, shkroi Krasniqi në Facebook.

“Mërgatën tonë dhe origjinën e Partisë Demokratike, para se t’i lidhë politika, i ka lidhur kauza e shenjtë për liri dhe kontributi e rrugëtimi i përbashkët që në ditët e lavdisë së luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, shtoi.

Foto: Memli Krasniqi

Në përfundim, lideri i opozitës falënderoi të gjithë ata që iu bashkuan këtij organizimi për festimin e 16 vjetorit të pavarësisë.

Ndryshe, PDK, ka filluar ri-organizimin e strukturave partiake nëpër diasporë, duke qenë se një numër i madh i qytetarëve të Kosovës jetojnë nëpër vende të ndryshme të Evropës dhe jo vetëm.

Ky ri-organizim i strukturave partiake në diasporë ka ardhur pas rezultatit të dobët që partitë politike, që aktualisht janë në opozitë, morën nga votat e mërgimtarëve në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit 2021.

Lëvizja Vetëvendosje kishte qenë shumë aktive me aktivitetet e saj në diasporë, çka kishte bërë që e njëjta ta marrë shumicën dërrmuese të votave të tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore