Kosova

Krasniqi mohon zërat për një koalicion me LVV-në: Për 2 orë s’tejkalohet hendeku i 2 dekadave


Ilustrim: Albin Kurti dhe Memli Krasniqi

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka mohuar në mënyrë kategorike pretendimet se partia të cilën ai e drejton mund të hyjë në koalicion me partinë në pushtet Lëvizjen Vetëvendosje për ta formuar qeverinë e ardhshme.

Zërat për një koalicion të mundshëm ndërmjet PDK-së dhe LVV-së erdhën pas darkës së punës që Krasniqi zhvilloi me Kurtin më 13 maj e ku çështje e zgjedhjeve të parakohshme doli të jetë tema kryesore e takimi.

Sipas tij në dy orë takim “s’mund të tejkalohet hendeku i gati dy dekadave”.

“Ai takim ishte thirrur për agjendë legjislative. Unë kam thënë që po shkoj në takim vetëm për zgjedhje. Agjenda e PDK-së kanë qenë zgjedhjet e parakohshme. Ne kemi shkuar me këtë agjendë dhe kjo është ajo që e ka dominuar diskutimin. Pra, asgjë as të fshehtë dhe as të panjohur s’ka pas nga ky takim. Nuk janë temë as afërsisht koalicioni”, tha ai në një konferencë për media të mërkurën.

Krasniqi këto spekulime për një koalicion të mundshëm i ka quajtur interpretime imagjinare me të cilat është zbavitur.

Ndryshe i pari i PDK-së Krasniqi, të mërkurën, bëri të ditur se mundësia për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës tashmë është ezuruar.

Propozimi i PDK-së, sipas Krasniqit, për koordinim mes partive opozitare në vend për shpërndaje të Kuvendit nuk ka gjetur mbështetjen e mjaftueshme.

“Jam habitur nga mos-gatishmëria e partive opozitare për të bërë një gjë të tillë, sepse mos-shkuarja në zgjedhje efektivisht e ka zgjatur mandatin e pushtetit aktual”, ka thënë fillimisht ai.

Krasniqi ndër të tjera ka potencuar se edhe për PDK-në – sikur edhe për partitë e tjera opozitare – dorëheqja ka qenë mënyra e preferuar e shkuarjes në zgjedhje.

“Por, mundësi reale në tavolinë ishte vetëm shpërndarja e Kuvendit. Prandaj, duke parë nevojën e madhe që vendi të shkoj në zgjedhje, për ne kishte më shumë rëndësi qëllimi sesa mënyra”.

Me mos-shkuarje në zgjedhje të parakohshme, i pari i PDK-së ka theksuar se Kosova po humb kohë të vlefshme.

“Procese të rëndësishme e miq me vlerë – si pasojë e këtij mentaliteti qeverisës. Ne jemi të bindur se fundi i kësaj Qeverie – do të nënkuptonte një fillim të ri për shtetin tonë. Për fat të keq, kolegët tanë nga partitë opozitare nuk ishin të gatshëm njësoj si ne. Ndoshta atyre u duhet më shumë kohë, por koha nën këtë qeverisje po shkon në dëm të interesit qytetar”, shtoi ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore