Kosova

Krasniqi: Kurti tek sot e kuptoi gabimin që do t’i kushtojë Kosovës


Memli Krasniqi

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në “Facebook”, ka konsideruar kryeministri kosovar Albin Kurti e ka kuptuar gabimin me pranimin e Marrëveshjes Bazë, duke hequr dorë nga njohja reciproke, ndërsa ka vendosur autominë politike për serbët e Kosovës në qendër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Kështu është shprehur kreu i PDK-së pas takimit të nivelit të lartë në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE) i cili nuk ka prodhuar rezultate të prekshme normalizuese.

“Atë që ia kemi thënë shumë herë Kryeministrit Kurti, ai tek sot e paska kuptuar. Me 27 shkurt në Bruksel dhe 18 mars në Ohër, Kryeministri Kurti ka pranuar një marrëveshje dhe një aneks të zbatimit të saj, përmes së cilave ka hequr dorë nga njohja e ndërsjellë, ndërsa ka vendosur asociacionin dhe autominë politike për serbët në qendër të dialogut”.

“Tash, pasi e ka kuptuar se ka gabuar, ka vendosur të bëjë lojëra fjalësh dhe hapa mbrapa. Fatkeqësisht, ky ndryshim i qëndrimit nuk do t’i kushtojë atij, por Kosovës. Kosova dhe qytetarët e saj nuk i kanë borxh asgjë Kryeministrit Kurti – aq më pak sanksionet të cilat tashmë po i vuajmë dhe të tjera që janë paralajmëruar”, ka shtuar deputeti Krasniqi.

Përderisa asnjë rezultat në funksion të zbatimit të Marrëveshjes Bazë (Bruksel 27 shkurt – Ohër 18 mars) nuk ka prodhuar takimi i së enjtes mes kryeministrit Kurt dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, ka fajësuar kryeqeveritarin kosovar për mosgatishmërin e tij për të bërë kompromis.

E kreu i PDK-së ka thënë se Serbia gjithmonë ka qenë destruktive, duke sulmuar jo vetëm shtetin e Kosovës, por edhe aleatët për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës, porse për shkak të gabimeve të kryeministrit Kurti, shteti i Kosovës “po vihet në thumb të kritikës ndërkombëtare, derisa Serbia po lirohet nga presioni”.

“Thirrjet populiste për t’u bashkuar kundër perëndimit dhe botës demokratike në një shtet që ka synim integrimin euro-atlantik janë çmenduri e llojit të vet. Qytetarëve dhe shtetit tonë nuk i duhet e nuk i ndihmon ky kurs i konfrontimit me aleatët strategjikë”, ka përfunduar kryetari i partisë më të madhe opozitare në vend.

Negociatat diplomatike të ndërmjetësuara nga BE-ja me përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) nuk kanë prodhuar rezultate të prekshme në drejtim të normalizimit të marrëdhënieve, derisa kryeministri Kurti e presidenti serb nuk kanë lëvizur nga qëndrimet e tyre, posaçërisht për çështjen e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore