Lajme

Krasniqi kritikon Qeverinë për ndarjen e buxhetit për komunat: Është diskriminimi më i egër institucional ndaj qytetarëve


Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se për katër komunat që udhëhiqen nga Lëvizja Vetëvendosje, Qeveria ka ndarë më shumë se gjysmën e buxhetit për investime të reja kapitale për vitin 2024, ndërsa për katër komuna që udhëhiqen nga Partia Demokratike e Kosovës – Ferizajn, Skenderajn, Kaçanikun e Hanin e Elezit, nuk është ndarë asnjë cent.

“Gjilani, Shtimja, Kamenica dhe Podujeva përbëjnë 11.6 % të popullsisë së Kosovës, ndërsa u është ndarë 59.5 % e buxhetit për investime të reja kapitale. Ndërkaq, për të gjithë të tjerët, që janë 88.4 % e popullsisë, Qeveria ka ndarë vetëm 40.5 % të këtij buxheti. Ky është diskriminimi më i egër institucional ndaj qytetarëve në historinë e Kosovës, që prej çlirimit të vendit tonë”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Ai ka potencuar se kultura politike në Kosovë ka nevojë të shtensionohet e të rritet bashkëpunimi, jo të instalohet kjo kulturë “e hakmarrjes dhe diskriminimit”.

“Kjo qasje e Qeverisë kundër qytetarëve të komunave të cilat nuk i drejton partia në pushtet është shantazh i ulët politik. Unë ftoj edhe deputetët e Vetëvendosjes, krahas atyre të opozitës, që me votën e tyre të mos e vulosin këtë propozim diskriminues të Qeverisë”.

Kreu i PDK-së ka shtuar se “është e turpshme dhe e papranueshme të votohet për një buxhet të tillë”.

Bazuar në analizën e Institutit për Studime të Avancuara (GAP) për ndarjet buxhetore për vitin 2024, konsiderohet se Qeveria e Kosovës, ashtu sikurse vitin e kaluar, ka ndarë më shumë mjete për komunat e udhëhequra nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV) – Gjilan, Kamenicë, Podujevë dhe Shtime.

“Ngjashëm me vitin e kaluar, edhe këtë vit, qeveria ka ndarë më shumë mjete për komunat e udhëhequra nga Vetëvendosje (VV) ku mbi gjysma e kësaj shume (59.5% apo 13 milionë euro) janë orientuar në katër komunat e udhëhequra nga VV (Gjilan, Kamenicë, Podujevë dhe Shtime).

Këto komuna përbëjnë 14.5% të sipërfaqes në Kosovë dhe 11.6% të popullsisë”.

Gjilani edhe sivjet mbetet komuna me vlerën më të lartë të investimeve të reja, sipas institutit GAP, me investime në vlerë prej 6.3 milionë euro, apo rreth 29% të gjithsej investimeve të reja në komuna, ndërsa komuna e dytë me vlerën më të lartë është komuna e Shtimes, me investime të reja në vlerë prej 2.7 milionë euro, apo rreth 12.6% të gjithsej investimeve të reja.

“Albin Kurti po na diskriminon për inat” – Kurti la Skenderajn pa asnjë cent e Suharekën me veç 100 mijë euro

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore