Lajme

Krasniqi kërkon nga Szunyog dhe Guerot largimin e masave sanksionuese


Kryetari i PDK-ës, Memli Krasniqi, ambasadori i BE-së, Tomas Szunyog dhe ambasadori i Francës, Oliver Guerot.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, të enjten është takuar me shefin e zyrës së Bashkimit Evropian, Tomas Szunyog, dhe ambasadorin e Francës, Oliver Guerot, nga të cilët ka kërkuar nga ai që ta ndihmoj Kosovën në largimin e masave sanksionuese të Bashkimit Evropian vendosur ndaj Kosovës.

Takimin e ka bërë të ditur Krasniqi përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’.

“Diplomatëve evropianë u shpreha shqetësimin tim në lidhje me situatën e vështirë politike dhe ekonomike në të cilën ndodhet vendi”.

“Nga ta, para se gjithash, kërkova që të ndihmojnë në heqjen e sanksioneve të BE-së ndaj Republikës së Kosovës. Qytetarët tanë nuk duhet të vuajnë pasojat e një Qeverie të papërgjegjshme dhe jobashkëpunuese”, ka shkruar ai.

Ndërsa, ka theksuar se ambasadorët i ka siguruar se PDK-ja do të vazhdojë të angazhohet seriozisht dhe të luaj rol konstruktiv në procesin e Integrimit euro-atlantik të vendit.

“Si vizion i kahmotshëm i yni dhe rrugë e vetme drejt zhvillimit dhe përparimit”, ka shtuar Krasniqi.

Më 4 korrik, Kosova është sanksionuar nga Bashkimi Evropian për shkak të situatës së tensionuar në Veri.

Masat që u paralajmëruan për Kosovën, përveç se nga institucionet u konsideruan si “tejet të padrejta”, për profesorët e çështjeve ndërkombëtare janë edhe “jashtëzakonisht të dëmshme”, pavarësisht nëse do të jenë për një periudhë të shkurtër apo afatgjate.

Nga sanksionet të cilat vijnë ndaj Kosovës për shkak të mospërfilljes së kërkesave për shtensionimin e situatës në Veri, njëra ndër më të rëndat rezulton të jetë “shqyrtimi i propozimeve të paraqitura nga Kosova në kuadër të Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (ËBIF)”.

Kornizë kjo e cila përmban investime në fushën e transportit, energjisë, mjedisit, kapitalit njerëzorë dhe bujqësisë.

Përmes këtij procesi bashkohen përfituesit donatorët dhe huamarrësit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore