Kosova

Krasniqi: E papranueshme qasja e kësaj qeverie ndaj bizneseve


Memli Krasniqi dhe Lulzim Rafuna

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, është takuar këtë të marte me kryetarin e Odës Ekonomike, Lulzim Rafuna, me ç‘rast kanë diskutuar për sfidat me të cilat ballafaqohet sektori privat në Kosovë.

Sipas Krasniqit, nuk mund të ketë zhvillim ekonomik të vendit pa një sektor privat të fuqishëm.

“Prandaj, ky sektor, para se gjithash, duhet të shihet si partner i rëndësishëm i shtetit drejt fuqizimit të vendit”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Kryetarit Rafuna, tregoi ai, “i shpreha qëndrimin se, për PDK-në, është e papranueshme qasja e gabuar e kësaj Qeverie ndaj bizneseve, e cila, përmes masave të saj, po i ndëshkon dhe penalizon ato në aktivitetin e tyre të përditshëm”.

Në vlerësimin e kreut të PDK-së, Oda Ekonomike e Kosovës “është duke bërë një punë të mirë në përfaqësimin dhe mbrojtjen e interesave të bizneseve, krahas promovimit që po i bën ambientit afarist në Kosovë, përkundër sfidave aktuale”.

Ndryshe, partitë opozitare vazhdimisht kanë pasur kritika në drejtim të qeverisë së udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, për politikat ekonomike që i ka ndërmarrë ky ekzekutiv.

Ndërsa, Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, gjithashtu, gjatë ditës ka thënë se shumica e qytetarëve të Kosovës janë të pakënaqur me drejtimin politik të Kosovës.

“76.8 për qind të qytetarëve nuk janë të kënaqur me drejtimin politik të Kosovës. Sot, në publikimin më të ri të Pulsit Publik, realizuar nga UNDP dhe financuar nga USAID, u dëshmua ajo të cilën e kemi thënë vazhdimisht dhe zëshëm kohëve të fundit”.

“Qytetarët e Kosovës nuk janë të kënaqur me drejtimin politik të vendit dhe se kjo Qeveri, përjashtuese me aleatë ndërkombëtarë dhe koordinuese me kriminelë, nuk është duke përfaqësuar vullnetin e tyre”.

Ai ka treguar se sipas pulsit publik të UNDP, 45.6% të qytetarëve të Kosovës nuk janë aspak të kënaqur me drejtimin politik të vendit.

“Ndërkaq, derisa 31.2 kanë preferuar të mbesin neutral, vetëm 23.2% janë shprehur të kënaqur në përgjigjet e tyre. Edhe një herë, kjo dëshmon për urgjencën e ndërrimit të drejtimit politik që ka marrë vendi, por, i cili nuk mund të bëhet pa ndërrimin e Qeverisë”.

Sipas Krasniqit, “rruga e rrezikshme” në të cilën kjo Qeveri e ka futur vendin nuk është problemi i vetëm për qytetarët.

“Papunësia, varfëria, inflacioni, çmimet e larta të produkteve esencial dhe shërbimet jodinjitoze shëndetësore janë renditur si pesë problemet më të mëdha sociale”.

“78% e qytetarëve mendojnë se punësimi në institucionet publike nuk bëhet në baza meritore”.

Për kreun e PDK-së, kjo “pakënaqësi qytetare”, e dëshmuar edhe në pasoja reale për shtetin përmes masave dhe sanksioneve nga aleatët, duhet të adresohet urgjentisht.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore