Lajme

Krasniqi, diasporës në Zvicër: Ta nxjerrim Kosovën nga mjerimi politik dhe ekonomik


Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, gjatë vizitës së tij zyrtare në Zvicër ka thënë se biseduan për ta nxjerrë Kosovën nga mjerimi politik dhe ekonomik.

Krasniqi, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ka theksuar se ky është obligim i të gjithëve.

“Për dekada të tëra, mërgimtarët sakrifikuan dhe kontribuan pa u lodhur për popullin, lirinë dhe shtetin tonë”.

“Tani, bashkë dhe më të fortë, po bëhemi gati që Kosovën ta nxjerrim edhe nga mjerimi politik dhe ekonomik në të cilin është zhytur – sepse ky është obligim i përbashkët”, ka shkruar Krasniqi.

Ai tutje ka thënë se vizita e tij përkon me 16 vjetorin e pavarësisë së Kosovës.

“Në Zvicër, bashkë me qindra e qindra bashkëatdhetarë, në një manifestim shumë madhështor, shënuam 16 vjetorin e pavarësisë së Kosovës”.

Krasniqi, javën e kaluar kërkoi nga shefi i zyrës së Bashkimit Evropian, ambasadori Tomas Szunyog, ambasadori i Francës, Olivier Guerot, Zëvendës-Ambasadori i Gjermanisë, Matthias Conrad dhe Zëvendës-Ambasadori i Italisë, Ugo Ferrero, largimin e masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës.

“Diplomatëve evropianë u shpreha shqetësimin tim në lidhje me situatën e vështirë politike dhe ekonomike në të cilën ndodhet vendi. Nga ta, para se gjithash, kërkova që të ndihmojnë në heqjen e sanksioneve të BE-së ndaj Republikës së Kosovës. Qytetarët tanë nuk duhet të vuajnë pasojat e një Qeverie të papërgjegjshme dhe jobashkëpunuese”, kishte thënë ai.

Ai po ashtu kishte shtuar se ambasadorët i ka siguruar se PDK do të vazhdojë të luaj rol konstruktiv në procesin e Integrimit euro-atlantik të vendit, si vizion i kahmotshëm i yni dhe rrugë e vetme drejt zhvillimit dhe përparimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore