Gjykata Speciale

Krasniqi dhe Selimi mbeten në paraburgim


Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Gjykata Speciale, ka marrë vendim që t’u vazhdohet paraburgimit ish krerëve të Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Lajmi është bërë i ditur përmes një komunikatë të publikuar nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës.

“Trupi Gjykues, më 17 maj 2023, urdhëroi vazhdimin e paraburgimit të Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, me vendim përkatës për secilin”.

“Trupi Gjykues konstatoi se ekziston ende rreziku që z. Krasniqi dhe z. Selimi mund të pengojnë ecurinë e procesit gjyqësor ose të kryejnë krime të tjera kundër atyre që konsiderohen se janë kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfshirë dëshmitarët që kanë dhënë ose do të japin dëshmi në çështjen gjyqësore dhe/ose pritet të paraqiten para Dhomave të Specializuara”, thuhet në komunikatën e DhSK.

Një vendim të tillë Specialja e kishte marrë edhe më 22 nëntor.

Një vendim i ngjashëm ishte marrë edhe ndaj Salih Mustafës nga trupi gjykues, i kryesuar nga Mappie Veldt- Foglia.

Vendimi për vazhdimin e paraburgimit është marrë pasi sipas gjykatës ekziston një rrezik i moderuar që të arratisen të njëjtit, ose të kryejnë vepra të mëtejshme kundër atyre që perceptohen si kundërshtarë të UÇK-së, duke përfshirë dëshmitarët, të cilët kanë ofruar ose mund të ofrojnë prova në këtë rast dhe duhet të paraqiten në Dhomat e Specializuara.

Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi

Për çka po akuzohen ish krerët e UÇK-së?

Ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit rëndojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Që nga nëntori i vitit 2020 ata gjenden në paraburgim në Hagë dhe janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë ndaj tyre.

Sipas aktakuzës fillestare, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi dyshohen për veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit 1999.

Gjykata Speciale

Krimet pretendohet se janë kryer në disa lokacione të Kosovës dhe në veri të Shqipërisë.

Më 10 maj, Prokuroria e Specializuar ka paraqitur tri kategori ndryshimesh në aktakuzën ndaj Thaçit dhe ish-udhëheqësve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Sipas versionit të ndryshuar të aktakuzës, në fshatrat Budakovë dhe Semetishtë të Suharekës, dyshohet që ndërmjet 4 qershorit 1998 dhe shtatorit 1998, të paktën 12 persona janë ndaluar në qendra ndalimi.

Po ashtu, në aktakuzë thuhet se në fund në fund të qershorit dhe fillim të korrikut të vitit 1999,pjesëtarë të UÇK-së ndaluan “të paktën tre persona pa proces të rregullt ligjor në një seli të UÇK-së, të vendosur në ndërtesën e një ish-shkolle dhe konvikti në Gjilan”.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore