Kosova

Krasniqi: Bandat kriminale ia pamundësuan takimin e Hetemit me drejtorët, KFOR-i s’ishte aspak profesional


Elbert Krasniqi

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka thënë se bandat kriminale ia kanë pamundësuar takimin kryetarit të Komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi, me drejtorët e sapoemëruar të kësaj komune, dhe se të njëjtit kanë qenë të udhëhequr nga ish kryetari i Leposaviqit, Zoran Todiç, dhe ish-deputeti Slavko Simiç, por edhe ka akuzuar ushtarët e KFOR-it për mos veprim.

“Sot, nga bandat kriminale u pamundësua takimi i Kryetarit të Komunës së Leposaviqit Lulzim Hetemi me drejtorët e rinj të sapoemëruar”, shkroi ai në Facebook.

Ndërkaq, ai theksoi se në anën tjetër, “menaxhimi i këtyre bandave ishte me shumë lëshime dhe aspak profesional nga ana e KFOR-it”.

“Është e paligjshme dhe e papranueshme të barazohen përfaqësuesit legjitim e lega me personat me maska. Por, për dhunën e sotme adresa është evidente dhe e qartë”, shtoi ai.

Tutje, ministri Krasniqi potencoi se “personat që sot në mënyrë aktive kanë udhëhequr dhe organizuar këto grupe kriminale janë: Ish-kryetari i Komunës së Leposaviqit, Zoran Todiç, ish-deputeti, Slavko Simiç, dhe ish-polici Filipoviç”.

“Prokuroria duhet të merret me urgjencë me këta përgjegjës dhe banda kriminale prapa tyre për sulmin dhe dhunën ndaj gazetarëve dhe dëmtimin e pasurisë publike”, përfundoi ai.

Ndryshe, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), Elbert Krasniqi është takuar me kryetarin e Komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetimin të premten.

Lajmin e ka bërë të ditur Krasniqi përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’.

“Në takim me Kryetarin e Komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemin, diskutuam për zhvillimet në Komunë me ç’rast Kryetari më njoftoi për vendimet e fundit”.

Ai tutje ka thënë se Hetemi ka emëruar drejtorë të rinjë në kabinetin e tij.

“Kryetari Hetemi, ka vazhduar me plotësimin e kabinetit të tij, si rrjedhojë ka emëruar drejtorë në drejtoritë përkatëse: Sretena Bojovic, Andjela Simic, Valton Peci dhe Arjeta Tahiri”, ka thënë Krasniqi.

Ndërsa ka falënderuar Hetemin për përkushtimin e tij që të punojë së bashku me kabinetin e tij për të gjithë qytetarët pa asnjë dallim.

Vizita e ministrit Krasniqi, siç kishin raportuar mediat lokale serbe, është pasuar me protestë të serbëve të cilët të indinjuar kanë thyer kordonin e sigurisë së KFOR-it dhe janë afruar në afërsi të hyrjes së ndërtesës komunale, duke bllokuar hyrjen – daljen në ndërtesën komunale.

Krasniqi pas takimit me Hetemin: Kryetari ka vazhduar me plotësimin e kabinetit të tij – ka emëruar drejtorë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore