Shqipëria

Kraja: Do t’i shkojmë deri në fund ‘inceneratorëve’


Kreu i Prokurorisë së Posaçme SPAK, Arben Kraja, ka deklaruar se institucioni të cilin ai e drejton, do t’i shkojë deri në fund çështjes së njohur si “inceneratorët”, duke theksuar se për shkak të përfshirjes së shumë institucioneve në të, mbetet një çështje komplekse.

Në një intervistë për “Zërin e Amerikës” gjatë vizitës së tij në SHBA, Kraja ka folur mbi punën e SPAK-ut në thuajse dy vjet funksionim, duke përmendur kjo e inceneratorëve, është ndër hetimet më sfiduese të hasura.

“Çështja e inceneratorëve është komplekse, pasi janë të përfshira shumë institucione. Është një volum i madh pune. Ne kemi tre hetime penale për tre inceneratorë. Kemi ngritur përgjegjësi penale për disa persona, përfshirë edhe zyrtarë, dhe hetimet do të vazhdojnë deri në fund. Kushdo që do ketë shkelur ligjin do të përgjigjen deri në fund”, nënvizoi ai gjatë intervistës.

Më tej, Kraja iu përgjigj edhe disa akuzave publike, se SPAK-u po vepron në mënyrë preferenciale në hetime.

Ai shpjegoi se diçka e tillë nuk është e vërtetë, pasi Prokuroria e Posaçme vepron në bazë të provave dhe jo listave.

“Kemi vendosur të rrimë larg opinioneve të politikës. E rëndësishme është të jemi objektiv në vendimmarrje”, vijoi më tej ai.

Për shkak të kësaj çështjeje, një sërë zyrtarësh janë akuzuar, apo edhe arrestuar, përfshi ish-ministrin e Mjedisit në Shqipëri, Lefter Koka, i cili ende është nën arrest.

Një tjetër emër zyrtari të lartë, Alqi Bllako, po ashtu ka hequr dorë nga posti i deputetit, duke iu nënshtruar hetimit.

Teksa, akuzat nga ana e opozitës, kanë qenë të shumta dhe të vazhdueshme, duke kërkuar hetime të thelluara për tre inceneratorë: Atë të Tiranës, Elbasanit dhe Fierit.

Urdhra arresti janë lëshuar edhe për dy prej administratëve të firmës Integrated Energy, Klodjan Zoto dhe Stela Gugallja, por ata prej lëshimit të urdhrit nuk janë kapur nga Policia dhe vijojnë të mbeten në kërkim ndërkombëtar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore