Lajme

Krah për krah Martin Berishajt


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti këtë të premte është takuar edhe me ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishajn i cili aktualisht po akuzohet nga Prokuroria Themelore e Kosovës për deklarim të rrejshëm të pasurisë dhe nga Prokuroria Speciale për shpëlarje parash, derisa vazhdon të mbetet ambasador shteti.

Kurti që po merr pjesë në konferencën “Kroacia Evropiane: Retrospektivë dhe Perspektivë” në Dubrovnik të Kroacisë, është parë duke diskutuar në një tavolinë bashkë me ambasadorin e Kroacisë Martin Berishaj, dhe dy persona të tjerë, jashtë margjinave të konferencës.

Se çka po diskuton Kurti e Berishaj në këtë takim mbase do të na tregoj vetë kryeministri kur të kthehet, pasi që kjo konferencë është organizuar nga zyra e Tonino Picula, deputet i Parlamentit Evropian, me rastin e 10 vjetorit të anëtarësimit të Kroacisë në Bashkimin Evropian.

Takimin me kryeministrin Kurti, ambasadori Berishaj e ka publikuar vetë në llogarinë e tij në facebook.

 

Për dallim nga vetë ambasadori i cili e bëri publik takimin me kryeministrin, ky i fundit sikur do ta fsheh këtë gjë.

Në postimin e tij në Twitter, Kurti ka treguar për konferencën në Dubrovnik të Kroacisë, pa e përmendur fare takimin me ambasadorin e Kosovës atje, Martin Berishajn.

“Në Dubrovnik të Kroacisë fola në panelin ‘Kroacia Evropiane: Retrospektivë & Perspektivë’. Prezantova progresin demokratik dhe ekonomik të Kosovës, thashë se BE-ja mund të reformohet edhe të zgjerohet në të njëjtën kohë dhe ne e shikojmë Kroacinë si shembull të mirë të anëtarësimit në BE dhe NATO”, ka shkruar Kurti.

Në intervistën e fundit që kryeministri Kurti, dha në Televisionin Publik të Kosovës, RTK, më 29 mars të këtij viti, i pyetur për Raportin e Departamentit amerikan të Shtetit, ku flitet për “korrupsion serioz” në institucionet qeverisëse dhe për skandalin financiar ku dyshohet të jetë i përfshirë Martin Berishaj, amabasador në Kroaci, pati thënë se është fushatë e orkestruar.

“Ai po e pret procesin të kryhet. Në këtë fushatë të egër që është zhvilluar për Martin Berishaj, në Kosovë, Serbi e në Slloveni, gjithashtu edhe për kryeministrin aktual, i cili e ka quajtur shpifje e shpikje. Është fushatë e madhe ku është edhe Serbia brenda”, deklaroi Kurti.

Në anën tjetër, Portal 24 është vetëm një nga mediat sllovene që ka publikuar lajmin për ngritjen e kallëzimit penal ndaj ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, në gusht të vitit 2022.

Kallëzimi penal i ngritur nga Agjencia Kundër Korrupsion e Kosovës u konfirmua edhe nga Prokuroria dhe tani Berishaj do të ballafaqohet me rastin.

Por, vëmendja ka shkuar deri në Slloveni, për shkak të lidhjeve të supozuara të Berishajt në pastrim parash bashkë me kryeministrin aktual slloven, Robert Golob.

Portal 24 ka cituar edhe intervistën e ish-drejtorit të AKK-së, Hasan Preteni, dhënë për Albanian Post, i cili ka shpjeguar procedurën e hetimit pas marrjes së çështjes nga prokuroria.

Lajmi për kallëzimin penal ndaj Berishajt është shpërndarë në Twitter edhe nga gazetari dhe moderatori i njohur slloven, Bojan Pozhar.

“Meqë ra fjala, hetimi për Martin Berishajn, ‘mushkën’ e Robert Golob-it në bartjen e parave nga GEN-I në Mal të Zi e më pas në Slloveni, nuk po pushon. Agjencia Kundër Korrupsion e Kosovës ka dorëzuar kallëzim penal kundër Martin Berishajt, sepse nuk ka deklaruar disa asete të tij, rasti tani sa ka filluar”, shkruan Pozhar në Twitter.

 

Pozar është gazetar e producent shumë i suksesshëm në Slloveni.

Aktualisht, ai drejton emisionin politik të pasdites “Ura moči” (“Ora e Fuqisë”) në TV Planet, çdo të diel në orën 18:30.

Para këtij emisioni, Pozar ka qenë editor dhe producent i programit politik “Faktor”, që emetohej katër herë në javë në televizionin TV3 Slovenia.

Një emision që bazohej në modelin e emisionit politik amerikan më të shikuar “The O’Reilly Factor” me gazetarin veteran Bill O’Reilly.

Pozar gjithashtu është themelues i portalit informativ-politik me parapagim “Pozareport”.

Albanian Post kishte realizuar një intervistë të gjatë me Pozhar në kohën kur plasi skandali i Berishajt e Golob-it.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore