Lajme

KQZ thotë se serbët s’i kanë ndjekur procedurat për peticionin e largimit të kryetarëve në Veri


KQZ

Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) ka njoftuar se u kanë kthyer përgjigje serbëve në lidhje me peticionin e tyre për shkarkimin e katër kryetarëve shqiptarë në Veri, pasi që të enjten në adresë të KQZ-së, serbët dërguan disa e-maile, përmes të cilëve kërkuan që të fillojnë peticionin për largimin e kryetarëve të katër komunave Veriore – Leposaviq, Mitrovicë e Veriut, Zveçan dhe Zubin Potok.

Lexo edhe këtë: Loja – që u mor vesh – e Beogradit rreth peticionit për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë në Veri

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në një përgjigje për Albanian Post, ka thënë se parashtruesve të peticionit, në këtë rast serbëve, u është bërë me dije se kërkesa e tyre është dërguar në adresë të gabuar, pasi që për një gjë të tillë duhet të ndiqen proceduara të tjera.

“Mund t’iu konfirmoj se shkresat të cilat i kemi pranuar më 5 dhjetor përmes e-mailit, janë shqyrtuar dhe u kemi kthyer përgjigje, me anë të të cilave i kemi njoftuar se sipas akteve nënligjore të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, kjo çështje duhet të adresohet tek Kryesuesi i Kuvendit Komunal në komunat përkatëse, andaj i kemi udhëzuar që kërkesat e dorëzuara në KQZ t’i adresojnë tek autoriteti kompetent”, ka thënë Elezi për AP.

Çka ndodhi?

Drejtori i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovë” në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, por edhe politikanë serbë të Kosovës të afër me regjimin në Beograd, pretenduan se është refuzuar kërkesa e serbëve për të iniciuar peticion për shkarkimin e katër kryetarëve në Veri të Kosovës, ashtu siç parashihet në Udhëzimin Administrativ – të hartuar nga Qeveria e Kosovës – mirëpo kjo u demantua nga Nexhat Uglanjin, Kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, i cili tha për Albanian Post se nuk ka marrë asnjë kërkesë të tillë, dhe se e gjithë kjo është bërë për “show mediatik”.

Në Udhëzimin Administrativ thuhet se fillimisht duhet të formohet një grup, i quajtur nismëtar, i përbërë prej të paktën tre personave që e përfaqësojnë kërkesën nga komunën përkatëse, gjë që nuk është bërë.

Ky grup, para nisjes së mbledhjes së nënshkrimeve do të duhej të njoftojë kryesuesin e kuvendit komunal – në komunën përkatëse – dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Mirëpo, kjo procedurë nuk është ndjekur fare nga ana e serbëve, të cilët kanë shkuar para objekteve të komunave Veriore duke pretenduar se u është refuzuar kërkesa e tyre për peticion pa e kaluar procedurën fare.

“Informatat janë të rrejshme, sepse ata as nuk kanë kërkuar takim me kryesuesin, dhe asnjë kërkesë nuk ka ardhur sipas proceduarave dhe Udhëzimit Administrativ. Ata kanë vepruar në mënyrë politike si zinxhir në katër komunat Veriore, me manipulime politike”, tha Uglanjin për AP.

Nuk është bërë asnjë kërkesë, insistoi ai, “as nuk është kërkuar takimi për iniciativën”. “Sigurisht, ata kanë bërë boom mediatik që Kryesuesit e Kuvendeve Komunale s’kanë dashur që t’i pranojnë kërkesat”.

Nga ana tjetër, Petkoviç ka pretenduar se Kryesuesit e Kuvendeve Komunale kanë refuzuar që t’i pranojnë kërkesat e serbëve lokalë në katër komunat Veriore, derisa ka akuzuar Kryeministrin Albin Kurti, dhe kabinetin e tij se “nuk janë të interesuar për ndonjë de-eskalim dhe normalizim të situatës në katër komunat në Veri, që është një nga kërkesat kryesore të Beogradit, por edhe të BE-së, por që synimi i tij është vazhdimi i terrorit ndaj popullit serb”.

“Pikërisht kjo është arsyeja që sot përfaqësuesit shqiptarë në komunat e Mitrovicës së Kosovës, Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit refuzuan të pranojnë iniciativën e arsyetuar qytetare për largimin e kryetarëve të rremë dhe jolegjitimë, të cilën qytetarët e parashtruan në përputhje të plotë me dispozitat e Udhëzimit Administrativ i hartuara nga vetë ata në Prishtinë” pretendoi Petkoviç.

Por, korrieri më i madh i propagandës serbe është demantuar nga Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, i cili vë në pah se ato kërkesa as që i kanë parë, e as që i janë drejtuar atij, ashtu siç duhet proceduralisht në bazë të Udhëzimit Administrativ.

“Ato kërkesa as që e i kena parë, as që na u janë drejtuar, ata sigurisht po provojnë që ta manipulojnë popullatën serbe këtu, për të krijuar konfuzione që për ta nisur peticionin komunat Veriore s’kanë dashur që ta pranojnë kërkesën dhe iniciativën për nisjen e proceduarave”, shpjegon ai për AP.

Kjo, theksoi Uglanjin, “është informata e saktë”, derisa tregoi se grupi i cili ka pretenduar se është refuzuar nga ai, është mbledhur jashtë objektit të komunës, dhe se s’kanë kërkuar fare takim me të.

“Jo s’kanë qenë të unë fare. Ata kanë qenë vetëm afër objektit  edhe i kanë thirrur mediat dhe i kanë thënë se s’po dojnë që të na pranojnë kërkesat, por s’janë lajmëruar tek unë me ndonjë lloj kërkese”.

“Unë as që i di kush janë ata tre persona nga ajo iniciativë, por e di që afër objektit kanë qenë 3 vetë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore