Shqipëria

KQZ takim me përfaqësues të ODIHR, fokus auditimi i teknologjive në procesin zgjedhor


Komisioni Qendror i Zgjedhje (KQZ) po vijon punën me qëllim plotësimin e një prej rekomandimeve të OSBE/ODIHR në lidhje me auditimin e teknologjive që përdoren në procesin zgjedhor.

Kështu, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, së bashku me Nënkomisioneren Lealba Pelinku u takuan me një ekip përfaqësuesish nga selia qendrore e ODIHR në Varshavë.

Celibashi bëri me dije se në takim u vendosën piketat e një bashkëpunimi të ngushtë teknik në lidhje me çka duhet të plotësojë KQZ në lidhje me një transparencë edhe më të madhe të disa aspekteve të teknologjive zgjedhore.

Gjithashtu Celibashi theksoi se me rëndësi mbetet qëndrimi në kontakt të ngushtë edhe me ekspertët e ODIHR, të cilët u njohën nga afër me sistemet e përdorura në zgjedhjet shqiptare.

Më herët, Celibashi i është drejtuar Kuvendit me një letër.

Në letër ai parashtron disa kërkesa për disa kategori votuesish, që nuk e kanë të mundur për arsye objektive, të dalin nga shtëpia.

“U kemi dërguar një letër partive politike në dijeni të kryetares së Kuvendit, për kategorinë e votuesve, që nuk e kanë të mundur për arsye objektive, të dalin nga shtëpia. Janë rreth 20 mijë votues. Partitë politike dhe Kuvendi, në kuadër të reformës të pritshme zgjedhore duhet të gjejnë mënyrën që kjo kategori votuesish ta ushtrojnë të drejtën e tyre të votës”, ka bërë me dije ai.

Shqipëria, sipas Celibashit, si një vend kandidat për t’iu bashkuar BE-së, nuk mund t’ia lejojë vetes që për çfarëdolloj arsye ta lërë pa votuar këtë kategori.

“Në vlerësimin tim kjo mbetet prioritare, dhe pse jemi të vetëdijshëm që për pjesën më të madhe të politikë ka prioritete të tjera”, ka theksuar ai.

Po ashtu ai u ndal edhe te aksesi në qendra të votimit, nga personat me aftësi të kufizuara.

Për të, ky mbetet një problem, por po punohet me koordinatorët e bashkive për të përmirësuar qasjen e tyre.

“Aksesi i personave me aftësi të kufizuara në qendrat e votimit është një problem që do të mbetet problem, nuk kemi pse bëjmë hipokritin, por të bëjmë aq sa kemi mundësi për të përmirësuar qoftë edhe 1% aksesin e tyre”, ka shtuar ai.

Celibashi ka ravijëzuar se ka bashkëpunim të mirë me koordinatorët e bashkive për këtë çështje dhe KQZ po ndërton një bazë të dhënash në lidhje me gjendjen fizike të të gjitha qendrave të votimit dhe aty ku është e mundur për të krijuar aksesin për këtë kategori votuesish.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore