Kosova

KQZ shtynë mbajtjen e kuvendeve zgjedhore të LVV-së dhe 5 partive tjera


KQZ

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në mbledhjen e fundit të saj ka miratuar kërkesat e gjashtë subjekteve politike për shtyrjen e kuvendeve zgjedhore, përfshi edhe partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje (LVV).

Në një njoftim të KQZ-së thuhet se në vitin 2022 janë planifikuar të mbahen 14 kuvende zgjedhore të partive politike, por për shkak të gjendjes pandemike dhe masave kufizuese për tubimet, Zyra ka pranuar disa kërkesa për shtyrjen e afateve për mbajtjen e tyre.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) që kishte planifikuar kuvendin e saj zgjedhor për këtë muaj e ka shtyrë për muajin tetor, ndërsa Aleanca Kosova e Re e ka shtyrë për muajin e ardhshëm.

Përveç, LVV-së, kërkesë kanë bërë edhe Aleanca Kosova e Re (AKR), Partia Liberale Egjiptiane (PLE), Partia Ura, Forca e Diaspores (FeD), Pokret za Zupu i Dijasporu (Zupska).

Anëtari i KQZ-së nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Florian Dushi ka deklaruar se Këshilli Ligjor këto kërkesa i ka konsideruar legjitime dhe të bazuara, andaj sipas tij secila kërkesë ka edhe një afat se kur parashohin këto parti politike qe të mbajnë kuvendet zgjedhore.

Ndërsa në njoftim të KQZ-së thuhet se “Edhe në vitin 2021, KQZ ka miratuar kërkesat e partive politike për shtyrjen e mbajtjes së kuvendeve zgjedhore, për arsye të njëjta”, thuhet më tej.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore