Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), të mërkurën e 30 nëntorit ka mbajtur mbledhjen e radhës, ku ka vendosur për kufizime të shpenzimeve të fushatës zgjedhore për subjektet politike që garojnë në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin Komunal të Zveçanit dhe atë të Leposaviqit.
Sipas KQZ-së, ky kufizim është i mbështetur në rregullën zgjedhore.
“Ky kufizim mbështetet në Rregullën Zgjedhore nr. 12/2013, sipas të cilës kufizimi i shpenzimeve të fushatës (19 – 23 dhjetor) do të jetë 0.5 euro për votues të regjistruar në secilën komunë”, thuhet në komunikatën për media.
Ndërsa, vendimi i Komisionit mbështet në të dhënat jo përfundimtare të listës së votuesve në komunet e Leposaviqit në të cilën janë 13 mijë e 297 votues dhe janë paraparë të shpenzohen 6 mijë e 648 euro.
Në Zveçan janë 6 mijë e 982 votues dhe janë paraparë të shpenzohen 3 mijë e 491 euro.
Gjithashtu, KQZ-ja ka zëvendësuar edhe anëtarët e Kuvendit Komunal në Mitrovicë të Veriut, emrat e të cilëve i ka paraqitur përmes tabelës në vijim.
Partia Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, do të kenë në garën e 18 dhjetorit nga 4 kandidatë, ndërsa pjesë e procesit zgjedhor janë edhe subjektet tjera politike.
Kandidatët e certifikuar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), janë Albulena Behluli Hetemi (Leposaviq), Izmir Zeqiri (Zubin Potok), Ilir Peci (Zveçan) dhe Taulant Kelmendi (Mitrovicë e Veriut).
Ndërsa kandidatët e certifikuar të Lëvizjes Vetëvendosje janë: Lulzim Hetemi (Leposaviq), Flatron Hasani (Zubin Potok), Fetah Peci (Zveçan) dhe Erden Atiq (Mitrovicë e Veriut).
Aleksandër Jabllanoviç, i cili njëherësh është kryetar i partisë Partija Kosovskih Srba, është certifikuar si kandidat për kryetar të komunës së Leposaviqit.
Iniciativa Qytetare Mitrovica do të marrë pjesë në zgjedhjet për Mitrovicë të Veriut me kandidatin e certifikuar Betim Osmani, ndërsa Iniciativa Qytetare Srpski Opstanak me kandidatin, Aleksandar Arsenijoviç.
Në këto zgjedhje, është certifikuar një kandidate e pavarur, Sladjana Pantoviç, e cila garon për kryetare të komunës së Zveçanit.
Më 26 nëntor, KQZ-ja kishte njoftuar se të shtunën ka filluar periudha e aplikimit për regjistrim për votim jashtë Kosovës.
Kurse, më 25 nëntor, një ditë më parë KQZ, kishte bërë të ditur se janë gjashtë subjekte politike, të cilat kanë paraqitur aplikimet e tyre për pjesëmarrje në zgjedhjet për kryetar të katër komunave në Veri, të cilat do të mbahen me 18 dhjetor.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në një konferencë për media kishte treguar partitë politike të cilat do të marrin pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë.
“Iniciativa qytetare Mitrovica ka aplikuar për certifikim me kandidatin e saj në zgjedhjet për kryetar të komunës së Mitrovicës së Veriut. Partia Demokratike e Kosovës ka dorëzuar emrat e katër kandidatëve për certifikim për zgjedhjet e katër komunave. Partia e Serbëve të Kosovës (Partia Kosovskih Srba) ka aplikuar për certifikim me kandidatin e saj në zgjedhjet për kryetar të Komunës së Leposaviqit”.
Sipas afateve të miratuara nga KQZ-ja, procesi i vendimmarrjes për certifikim të subjekteve politike dhe kandidatëve do të zhvillohet deri më 28 nëntor.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.comLajmet kryesore
-
“Pikë Uji” – Një pasqyrë pa dashur të mbajë anë, thotë skenaristja Ajola Daja për Albanian Post
-
Shqipëria jep 5 milionë euro për investime në bujqësi në 2024
-
Kush ishte Ibrahim Aqil – komandant i njësive elitare të Hezbollahut – i vrarë nga një sulm izraelit
-
Kurti do të marr pjesë në Forumin e Sigurisë në Varshavë