Lajme

KQZ: Deri në orën 15:00 në veri votuan 203 qytetarë – ende asnjë në Zveçan


Ilustrim

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, tha në një konferencë për shtyp se deri në orën 15:00 në katër komunat veriore – Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut – vetëm 203 persona morën pjesë në votimet për shkarkimin e kryetarëve aktualë komunalë, derisa u bëri thirrje të gjithë qytetarëve ta ushtrojnë të drejtën e votës.

“Në Leposaviq kanë votuar 122 votues, në Zubin Potok 17 votues, në Zveçan asnjë votues dhe në Mitrovicën e Veriut 64 votues”, njoftoi Elezi, i cili shtoi se qendrat e votimit janë të hapura dhe vazhdojnë të presin qytetarë.

Në kulmin e tensioneve midis Kosovës dhe Serbisë, partia kryesore e serbëve të Kosovës vendosi që edhe njëherë t’u bëjë presion qytetarëve të komunitetit serb në veri të territorit kosovar që të mos u përgjigjen proceseve demokratike në vend, duke bërë që serbët në këtë pjesë të Kosovës të bojkotojnë procesin e votimeve për shkarkimin e kryetarëve aktualë.

Mbi 20 për qind e votuesve të regjistruar në secilën nga katër komunat veriore nënshkruan peticionet për largimin e kryetarëve aktualë të komunave si pjesë e një procesi demokratik të iniciuar nga vetë votuesit serbë sipas legjislacionit të Kosovës dhe përkrahuar nga Lista Serbe. Megjithatë, dalja e qytetarëve serbë në votime deri tani është shumë e ulët.

Në bazë të udhëzimit administrativ që mundëson largimin e kryetarëve të komunave nga shtatori i vitit të kaluar, duhet 50 për qind, plus një votë e qytetarëve me të drejtë vote që referendumi të ketë sukses. Pas kësaj, rezultati i dërgohet presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka afat ligjor prej 30 deri në 45 ditë për të shpallur mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Numri i qytetarëve me të drejtë vote për procesin e votimeve për apo kundër largimit të kryetarëve nga funksioni në Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut është 46 mijë e 556. Në Leposaviq janë 13 mijë e 674 votues, në Zubin Potok janë 6 mijë e 877 votues, në Zveçan të drejtë vote kanë 7 mijë e 209 votues dhe në Mitrovicë të Veriut janë 18 mijë e 796 votues.

Në rast se në votimet e 21 prillit në pjesën veriore të territorit kosovar nuk marrin pjesë më shumë se gjysma e trupës elektorale në secilën komunë, atëherë iniciativa do të konsiderohet e dështuar. Për pasojë, kryetarët shqiptarë nuk do të mund të largohen me iniciativë qytetare për 12 muajt e ardhshëm – minimalisht deri në maj/qershor të vitit 2025.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore