Zgjedhjet në Kosovë

KQZ: Deri në orën 15:00 kanë votuar 26.95% e qytetarëve


Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kreshnik Radoniqi, përmes një konferencë për media ka bërë të ditur se deri në orën 15:00, pjesëmarrja e qytetarëve në zgjedhjet lokale është 26.95 përqind.

“Sipas të dhënave preliminare që kemi pranuar nga më shumë se 98% e vendvotimeve, numri i qytetarëve me të drejtë vote që kanë votuar deri në orën 15:00 është 26.95% apo 499 mijë e 828 votues nga 1 milion e 885 mijë e 448 votues”, ka thënë Radoniqi.

Sipas tij, deri në të njëjtën kohë, në zgjedhjet lokale të vitit 2017, kishin votuar 541 mijë e 834 votues apo 28.65 përqind e votuesve.

Radoniqi ka përmendur edhe disa parregullsi gjatë procesit të votimit.

“Krejt çka kemi ne informacione organet e rendit janë duke u marr me çështjes. Kemi pasur se nuk ka energji elektrike në një objekt shkollor, një votues nuk ka gjetur emrin e tij në listë, janë disa që nuk janë të rëndësishme për procesin zgjedhor”.

Përqindja më e madhe në komunat shqiptare, prin Kamenica me 32.09 përqind të votuesve, më pas është Skenderaj me 30.45 përqind, Prishtina me 29.51 përqind dhe Komuna e Podujevës me 28.84 përqind.

Në Kosovë të drejtë vote kanë 1 milion e 885 mijë e 448 persona në zgjedhjet lokale të dielës së këtij 17 tetori.

Ndërsa për herë të parë në këto zgjedhje do të votojnë 41 mijë persona.

Por, gjatë këtyre zgjedhjeve do të kenë të drejtën e votës 90 mijë e 586 votues më shumë krahasuar me zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit të po këtij viti.

Numri i Qendrave të Votimit në të gjithë territorin e Kosovës është 883, me gjithsejtë 2 mijë e 477 vendvotime.

KQZ mori vendime të veçanta për certifikimin e 89 subjekteve politike (32 parti politike; 1 koalicion; 33 iniciativa qytetare; 23 kandidatë të pavarur) dhe 552 kandidatëve të tyre.

Mirëpo, numri i përgjithshëm i kandidatëve të certifikuar për pjesëmarrje në Zgjedhjet Lokale të 17 tetorit është 5 mijë e 364 kandidatë, ku nga të cilët 166 kandidatë për kryetar të komunave dhe 5 mijë e 198 kandidatë për Kuvende Komunale.

KQZ ka njoftuar se për Kryetarë të Komunave janë shtypur gjithsejtë 1 milion e 698 mijë e 600 fletëvotime, ndërsa për zgjedhjet për Kuvende Komunale janë shtypur po ashtu 1 milion e 698 mijë e 600 fletëvotime. Pra, numri i përgjithshëm i fletëvotimeve është 3 milion e 397 mijë e 200 fletëvotime.

KQZ-ja, ka shtypur 186 mijë e 848 fletëvotime më pak se sa ka votues apo në përqindje 9,91%. Kjo sipas tyre është një praktikë e ndjekur edhe në proceset e kaluara zgjedhore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore