Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar subjektet politike dhe kandidatët për pjesëmarrje në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të katër komunave: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.
Partia Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, do të kenë në garën e 18 dhjetorit nga 4 kandidatë, ndërsa pjesë e procesit zgjedhor janë edhe subjektet tjera politike.
Kandidatët e certifikuar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), janë Albulena Behluli Hetemi (Leposaviq), Izmir Zeqiri (Zubin Potok), Ilir Peci (Zveçan) dhe Taulant Kelmendi (Mitrovicë e Veriut).
Ndërsa kandidatët e certifikuar të Lëvizjes Vetëvendosje janë: Lulzim Hetemi (Leposaviq), Flatron Hasani (Zubin Potok), Fetah Peci (Zveçan) dhe Erden Atiq (Mitrovicë e Veriut).
Aleksandër Jabllanoviç, i cili njëherësh është kryetar i partisë Partija Kosovskih Srba, është certifikuar si kandidat për kryetar të komunës së Leposaviqit.
Iniciativa Qytetare Mitrovica do të marrë pjesë në zgjedhjet për Mitrovicë të Veriut me kandidatin e certifikuar Betim Osmani, ndërsa Iniciativa Qytetare Srpski Opstanak me kandidatin, Aleksandar Arsenijoviç.
Në këto zgjedhje, është certifikuar një kandidate e pavarur, Sladjana Pantoviç, e cila garon për kryetare të komunës së Zveçanit.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, deklaroi se pas përfundimit të procesit të aplikimit të subjekteve politike dhe kandidatëve, i cili është përmbyllur më 25 nëntor, KQZ-ja ka komunikuar me institucionet e ndryshme shtetërore për të verifikuar nëse kandidatët e paraqitur janë në pajtueshmëri me nenin 29 të ligjit për zgjedhjet e përgjithshme.
Në këtë rast është komunikuar edhe me Këshillin Gjyqësor të Kosovës për të verifikuar nëse ndonjë nga kandidatët është i shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tri vitet e fundit, apo me vendim të gjykatës i është hequr e drejta për të qenë kandidat.
Zgjedhjet në këto katër komuna po mbahen pasi Lista Serbe vendosi të largojë kryetarët në këto komuna, për arsyeje se Qeveria e Kosovës vendosi të zbatojë vendimin e sekuencuar për targa.
Vendimi tashmë është shtyrë dhe më nuk ka as qortime as gjoba për shoferët me targa “KM”, por ligjërisht dorëheqja e mandateve nënkupton zgjedhje të reja komunale.
Më 26 nëntor, KQZ-ja kishte njoftuar se të shtunën ka filluar periudha e aplikimit për regjistrim për votim jashtë Kosovës.
Kurse, më 25 nëntor, një ditë më parë KQZ, kishte bërë të ditur se janë gjashtë subjekte politike, të cilat kanë paraqitur aplikimet e tyre për pjesëmarrje në zgjedhjet për kryetar të katër komunave në Veri, të cilat do të mbahen me 18 dhjetor.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në një konferencë për media kishte treguar partitë politike të cilat do të marrin pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë.
“Iniciativa qytetare Mitrovica ka aplikuar për certifikim me kandidatin e saj në zgjedhjet për kryetar të komunës së Mitrovicës së Veriut. Partia Demokratike e Kosovës ka dorëzuar emrat e katër kandidatëve për certifikim për zgjedhjet e katër komunave. Partia e Serbëve të Kosovës (Partia Kosovskih Srba) ka aplikuar për certifikim me kandidatin e saj në zgjedhjet për kryetar të Komunës së Leposaviqit”.
Sipas afateve të miratuara nga KQZ-ja, procesi i vendimmarrjes për certifikim të subjekteve politike dhe kandidatëve do të zhvillohet deri më 28 nëntor.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com-
Kurti takon Koopman-in, zotohet që plotësisht t’i zbatojë obligimet që dalin nga Marrëveshja Bazike
-
Mihali përfundon intervistimin: Jam këtu për të ndihmuar prokurorin për zbardhjen e së vërtetës
-
Gërvalla udhëton në Kanada, merr pjesë në Takimin e Grave Ministre të Punëve të Jashtme
-
Kurti për Mihalin: “Vlerë e shtuar, bashkëpunëtore e kamotshme”