Lajme

KPK-ja kundërshton vlerën e koeficientit të pagave: Është cenuar funksionalizimi i sistemit prokurorial


Këshilli Prokurorial i Kosovës, është shprehur kundër vlerës së koeficientit që është miratuar në Qeveri të mërkurën, sipas të cilit nga 120 sa ishte vlera e koeficientit për paga në sektorin publik, ekzekutivi me Ligjin e ri e ka ulur në 105, çka nënkupton paga më të vogla për rreth 80 mijë punonjës të administratës së shtetit në të gjithë sektorët.

“Përfundimisht se me këtë rast është cenuar funksionalizimi i sistemit prokurorial, ngaqë pretendimet e ngritura me kohë janë të mbështetura në aktet, praktikat dhe standardet ndërkombëtare dhe, të cilat nuk mund dhe nuk duhet të cenojnë pavarësinë dhe funksionalizimin e asnjë pushteti”.

“KPK-ja në vazhdimësi ka marrë pjesë në grupet punuese gjatë procesit të hartimit të Ligjit për Pagat në Sektorin Publik, me ç’rast ka ofruar propozime dhe komente konkrete lidhur me këtë ligj, por të cilat nuk janë marrë parasysh nga organet përkatëse”, thuhet në reagimin e KPK-së.

Sipas KPK-së, pagat e prokurorëve dhe të një pjese të stafit në sistemin prokurorial do të ulen, “faktikisht, vërtetohet hapur se janë ulur ndjeshëm pagat e prokurorëve të shtetit dhe pagat e një pjese të stafit administrativ në sistemin prokurorial të Kosovës”.

Po ashtu KPK-ja ka kërkuar nga Avokati i Popullit që Ligjin për paga ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese.

“Më ketë rast, duke shprehur kundërshtimin tonë të fuqishëm lidhur me caktimin e koeficientit të pagave, kërkojmë edhe njëherë që të realizohet kërkesa e Këshillit Prokurorial drejtuar Avokatit të Popullit për referimin e Ligjit për pagat në sektorin publik në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës”.

Me ligjin e ri, niveli i koeficienteve do të sillet nga 2 deri në 18 dhe do të afektojë rreth 83 mijë punëtorë të sektorit publik.

Më i larti i takon vetëm presidentes së shtetit, ndërsa më i ulëti u takon pozitave si; rekrut/kadet i Forcës së Sigurisë së Kosovës, kadet policor, kadet doganor dhe kadet korrektues.

Paga e një punëtori do të llogaritet duke e shumëzuar nivelin e koeficientit të pagës së një pozite me vlerën monetare të koeficientit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore