Lajme

KOSTT e demanton ministren serbe – Veriu nuk furnizohet me rrymë nga Serbia


Ilustrim

“Furnizimi i të gjithë qytetarëve të Kosovës në mënyrë të vazhdueshme është bërë si dhe do të bëhet nga operatorët e licencuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji, komfor kornizës ligjore dhe rregullative të Kosovës”.

Kështu është deklaruar, për Albanian Post, Zana Bajrami-Rama, zyrtarja për komunikim me publikun në Operatorin e Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës, (KOSST), duke e demantuar Zëvendëskryeministren e Serbisë, njëherit edhe Ministrja për Energji në Qeverinë e Serbisë, Zorana Mihajloviç.

Pasi Mihajloviç një ditë më parë kishte deklaruar se Veriu i Kosovës deri në dhjetor të vitit të kaluar është furnizuar me energji elektrike direkt nga Serbia.

Sipas KOSTT, deri më 14 dhjetor të vitit të kaluar KOSTT ka funksionuar në kuadër të Bllokut SMM (Serbi, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi).

“Raportet ditore të nominimeve të energjisë elektrike nga palët tregtare dhe nga furnizuesit në KOSTT dhe të raportuara nga Blloku SMM (Serbi, Maqedoni e Veriut, Mali i Zi), dëshmojnë se Veriu i Kosovës nuk është furnizuar me rrymë nga Serbia”, thuhet në përgjigjen e KOSST, për AP.

“Pas pavarësimit të Sistemit KOSTT nga Blloku SMM dhe fillimit të operimit si zonë e pavarur rregulluese në kuadër të Bllokut AK, dëshmon që Kosova furnizon të gjithë konsumatorët e energjisë elektrike në vend përfshirë dhe veriun e vendit”.

Zëvendëskryeministrja e Serbisë, Zorana Mihajloviç dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç

KOSTT madje e sheh si të domosdoshme zgjidhjen e problemit të pagesës së rrymës elektrike për qytetarët e pjesës veriore të Mitrovicës.

“Është e drejtë e patjetërsueshme që të gjithë qytetarët e Kosovës të furnizohen me energji elektrike por edhe obligim i qytetarëve që të paguajnë shërbimin e pranuar.  Andaj, zgjidhja afatgjate dhe e qëndrueshme e situatës në pjesën veriore të vendit, e cila e zgjidh problemin e furnizimit dhe arkëtimit në një afat të shkurtër, është e domosdoshme”, përfundon përgjigja e KOSTT.

Ndryshe gjatë ditës së enjte në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se qytetarët e Veriut do ta paguajnë energjinë elektrike shumë shpejtë.

“Po mundohemi dhe sa më shpejt që mundemi do të vijë dita për faturimin e rrymës për qytetarët në veri sepse kjo është diskriminim për qytetarët tjerë të këtij vendi”, ka thënë Kurti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore