Kosova

Kostoja e renovimeve në Klinikën Emergjente rreth 800 mijë euro


Foto nga Zyra e Kryeministrit

Të martën është përuruar renovimi në Klinikën Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), investim ky që është i përbashkët ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK), kostoja e të cilit është afër 800 mijë euro.

Sipas kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, me përurimin e kësaj klinike kushtet për mjekët do të jenë më të lehtë.

“Më herët, përveç pacientëve, mjekët janë përballur edhe me kushtet e punës dhe vështirësitë e mëdha. Tani kushtet e punës i kanë në anën e tyre. Në sallën e operimit, tani ekzistojnë edhe kamerat, që domethënë operimi mund te përcillet edhe nga jashtë ne kohë reale”.

Foto nga Zyra e Kryeministrit

“Rreth 800 mijë euro është investimi për këtë rinovim”, ka deklaruar Kurti para gazetarëve.

Ndërsa, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, deklaroi se këto investime po bëhen në kuadër të punës që po bëjnë në institucionet shëndetësore.

“Edhe këto investime edhe proceset që jemi duke i kaluar edhe në investimet në spitalet regjionale, edhe me zgjedhjen e mjekut familjar që tash po bëhet në mjekësinë primare edhe me ngritjen e buxhetit të barnave edhe në primare, sekondare dhe terciarë është në funksion edhe të sigurimeve shëndetësore”, tha Vitia.

Edhe më 20 maj, është përuruar rinovimi i Klinikës së Onkologjisë, e njëjta sipas deklaratave që janë dhënë nga krerët e shtetit tash i ka 60 shtretër nga 45 sa ishin para rinovimit.

Ndërsa në muajin qershor është përuruar edhe Klinika e Urologjisë dhe ajo e Kardiokirurgjisë.

Më 22 prill, ministri Vitia kishte deklaruar se edhe në Neurokirurgji dhe Kirurgji Vaskulare në sallat operative janë investuar rreth 3 milion euro.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore