Shqipëria

Kostoja e jetesës për emigrantët, Tirana e 161-ta në botë


Tirana renditet e 161-ta në botë për koston e jetesës sa i takon emigrantëve për vitin 2022.

Lajmi u bë i ditur nga firma amerikane “Mercer”, duke cituar raportin e kompanisë konsulente globale.

Çështjet globale, duke përfshirë pandeminë COVID-19, luftën në Ukrainë, luhatjet e kursit të këmbimit dhe inflacioni i përhapur po ndikonin në pagat dhe kursimet e emigrantëve, thuhet në raport.

Për organizatat me fuqi punëtore të shpërndarë globalisht, vlerësimi dhe menaxhimi i ndikimit në mirëqenien financiare të punonjësve të tyre mund të jetë veçanërisht kompleks.

Kryeqyteti i Shqipërisë është më i shtrenjti për emigrantët në Ballkanin Perëndimor.

Një kosto më të lartë se Tirana, ruan vetëm Zagrebi i Kroacisë i cili renditet i 159-ti.

Poshtë kryeqytetit shqiptar renditen Sofja e Bullgarisë në vendin e 170-të dhe Beogradi në pozitën e 175-të.

Ndërsa Shkupi dhe Sarajeva pozicionohen respektivisht afër fundit në vendin e 206-të dhe 209-të.

Lista

Hong Kong-u, Zyrih-u dhe Gjeneva janë tre qytetet më të shtrenjta në botë për punëtorët e huaj në vitin 2022.

Katër qytete në Zvicër – Zyrihu, Gjeneva, Bazeli dhe Berna – renditen respektivisht në vendin e dytë deri në të pestën në sondazh.

Tel Aviv-i në Izrael u rendit qyteti i gjashtë më i shtrenjtë për punëtorët ndërkombëtarë, duke e bërë atë më të kushtueshëm në Lindjen e Mesme, sipas Mercer-it.

Qyteti i New York-ut, i renditur i shtati globalisht, është qyteti më i shtrenjtë në Amerikë, sipas sondazhit, i cili krahasoi çmimet e 200 mallrave dhe produkteve në më shumë se 400 qytete.

Tre qytete të tjera aziatike – Singapori, Tokio dhe Pekini – përfundojnë 10-shen e parë, duke u renditur respektivisht në vendin e tetë, të nëntë dhe të 10-të.

Renditjet e larta për shumë qytete aziatike u nxitën nga inflacioni dhe monedhat e forta, thuhet në raport.

Karburanti është një nga faktorët kryesorë që kontribuojnë në rritjen e kostos së jetesës në mbarë botën pasi kërkesa për naftë rritet përpara ofertës.

Ofensiva ushtarake e Rusisë në Ukrainë ka nxitur ciklin global të mallrave, duke shtuar pasigurinë ekonomike, duke dëmtuar rritjen globale dhe duke përkeqësuar presionet inflacioniste.

Inflacioni u rrit në 9.2 për qind në vendet e Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim në prill dhe ishte në nivelet më të larta të 40 viteve në SHBA dhe Britani.

Dubai u rendit qyteti i 31-të më i shtrenjtë për emigrantët, nga vendi i 42-të vitin e kaluar, ndërsa Abu Dhabi ra në vendin e 61-të nga vendi i 56-të gjatë periudhës së raportimit, sipas Mercer.

Në Lindjen e Mesme, qytetet e Arabisë Saudite, Riad dhe Jeddah, u renditën përkatësisht në vendin e 103 dhe 111.

Ata u ndoqën nga afër nga Amani në Jordani me 115, Manama në Bahrein (117), Muscat në Oman (119) dhe Doha në Katar (133).

Mungesa e talenteve në vendet e zhvilluara, të cilat mbështeten shumë te punëtorët e huaj, mund të përkeqësohet nga kostot më të larta të jetesës, tha Tracey Ma, drejtuesja rajonale e mobilitetit të Mercer për Azinë Paqësor, sipas një raporti të Bloomberg.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore