Kosova

Kosovë: Vitia pyetet, por nuk do që të flas për dorëheqjen


. Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia

Ministri i Shëndetësisë në Kosovë, Arben Vitia, gjatë konferencës së mbajtur më 17 gusht, i është shmangur përgjigjes kur është pyetur nga gazetarët për mundësinë e dorëheqjes së tij nga pozita e ministrit të Shëndetësisë.

Dorëheqjen e tij si ministër e ka kërkuar ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, i cili ka thënë se Vitia “duhet të jep dorëheqje të parevokueshme si pasojë e dështimit në menaxhimin e pandemisë COVID-19”.

Mirëpo, Vitia ka thënë se “sot për sot” është i fokusuar në punën e tij si ministër në dikasterin qeveritar të shëndetësisë.

“Sonte jemi në një situatë ku e gjithë Ministria e Shëndetësisë, pa përjashtim, jemi duke punuar vazhdimisht. Sot kemi pasur takime të shumta edhe me grupet e interesit, përfshirë këtu me hisedarët nga përfaqësimi i tyre, i shoqatës së gastronomëve, ku të gjithë së bashku – pavarësisht dallimeve që mund t’i kemi – jemi të gjithë të bashkuar që kjo valë e re të përfundojë sa më mirë dhe sa më qetë”, është shprehur ministri Vitia.

Pas rritjes së rasteve pozitive me Coronavirus, Ministria e Shëndetësisë ka shtrënguar masat për luftimin e pandemisë COVID-19. Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se përhapja e variantit Delta e ka bërë situatën epidemiologjike shumë serioze në Kosovë.

Ai në një konferencë për media ka thënë se masat e shtuara do të vlejnë deri më një shtator dhe në bazë të situatës “mund të lehtësohen nëse ka përmisim të gjendjes apo edhe mund të fuqizohen nëse kjo gjendje epidemiologjike përkeqësohet”.

“Përhapja e variantit Delta e ka bërë situatën epidemiologjike shumë serioze në vendin tonë dhe e konfirmon edhe njëherë se përhapja e këtij varianti është shumë e lartë, dominuese që nuk përjashton asnjë grup moshë, përfshirë edhe moshat e reja. Kjo valë e përfshirjes dhe kjo situatë serioze kërkon ndërhyrje të menjëhershme për masat e reja për t’i dhënë prioritet shëndetit të qytetarëve”, ka thënë ai.

“Prej 173 mostrave nga rezultatet që na kanë ardhur 171 apo 99.83 për qind prej tyre kanë qenë nga varianti Delta, me përhapje katër herë më shpejt se varianti Alfa i virusit”, shtoi Vitia.

Në takimin e Qeverisë që do të mbahet të mërkurën, Vitia ka thënë se “do të propozojmë që të mbyllen klubet e natës, të reduktohet edhe orari i gastronomisë, do të propozojmë edhe zgjidhje rreth dasmave me disa kufizime të reja për shkak të rezervimeve të mëhershme të qytetarëve”.

Sipas ministrit Vitia, arsyet e këtyre masave kufizuese që do të ndërmerren e zbatohen në këta sektorë është se “shpërndarja e virusit është evidente që po vjen nga grumbullimet e mëdha në hapësirat e mbyllura dhe mos respektimi i masave në fuqi”.

“Masat e propozuara tani nuk janë të dëshiruara por të domosdoshme për të ngadalësuar trendin e përhapjes së virusit, për ta parandaluar kolapsin e institucioneve shëndetësore dhe mbrojtjen e jetës së qytetarëve”, shtoi ministri i shëndetësisë.

Po ashtu, Vitia ka thënë se do të shtohen ekipet e vaksinimit, por edhe punonjësit e tjerë shëndetësor nëpër sektorë të ndryshëm.

“Do të rekrutojmë me procedura sa më të shpejta, një mijë punonjës shëndetësor prej të cilëve shumicën në SHKSUK, në IKSHP, në inspektim, monitorim e mbikëqyrje dhe pjesa tjetër edhe në kujdesin parësor shëndetësor”, është deklaruar Vitia.

Ai ka potencuar se edhe në ditën e shtunë do të punohet dhe do të bëhet shpërndarja e vaksinës kundër COVID-19.

“Nga kjo javë qendrat e vaksinimit do të punojnë edhe në ditën e shtunë. Kemi rritur kapacitete e vaksinimit, në Prishtinë nga 30 ekipe këtë javë e kemi shtuar në 50 të tilla dhe ekip[et e vaksinimit do të shtohen edhe në qendrat e tjera”, ka thënë Vitia.

“Në total deri tani Kosova ka administruar mbi 620 mijë vaksina duke zbatuar planin e vaksinimit në masë që me trendin e këtyre ditëve do të na mundësojë të arrijmë objektivin e vendosur për vaksinimin e 60 për qind të popullatës sa më shpejt që është e mundur”, shtoi ai.

Vitia ka treguar se numri i dozave të vaksinës anti-COVID është i mjaftueshëm dhe se qytetarët mund ta zgjedhin llojin e vaksinës cilën dëshirojnë ata.

“Vaksinimi është mundësia jonë më e mira për t’i dhënë përgjigje virusit. Nga QKUK është bërë e ditur se shumica e rasteve të hospitalizuar janë raste të qytetarëve të pa vaksinuar. Personat që kanë qenë të vaksinuar dhe që janë prekur nga virusi janë duke e kaluar shumë më lehtë dhe kanë kohë shumë më të shkurtër të mjekimit dhe qëndrimit në spitale se sa personat që nuk janë vaksinuar”.

 

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore