Lajme

Kosovë: Testi i arritshmërisë me 200 pikë


Foto nga mbajtja e testit të arritshmërisë nga vitet e kaluara.

24 mijë nxënës të shkollave fillore do t’i nënshtrohen testit të arritshmërisë këtë vit.

Mirëpo, në Kosovë, kësaj here testi i arritshmërisë për klasat e nënta do të organizohet në dy ditë.

Ndryshimi që ka ky test nga testet e kaluara të këtij niveli është se të përfshira do të jenë 200 pyetje nga të gjitha lëndët.

Zëdhënësja e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Iliriana Pylla, në një përgjigje me shkrim për Albanian Post, ka treguar qëllimin e këtij institucioni që po synohet përmes këtij ndryshimi.

“Në ditën e parë do të jetë testi nga gjuha shqipe, angleze, historia dhe gjeografia, ndërkaq në ditën e dytë, do të jetë testi nga matematika, fizika, informatika, kimia dhe biologjia”.

“Qëllimi i këtij ndryshimi është që të mund të fokusohemi pak më shumë në vlerësimin e njohurive dhe shkathtësive të nxënësve nga të gjitha lëndët relevante dhe jo të shkojmë me një numër të vogël pyetjesh”.

Testi i parë do të mbahet me 4 qershor dhe i dyti me 14 qershor, pas përfundimit të vitit shkollor.

“Formati i testit është i njëjtë, vetëm se është dyfishuar numri i pyetjeve të testit. Pra do të ketë dy ditë nga 100 pyetje”.

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.

“Nxënësve do tu krijohet lehtësi dhe do tu japim mundësi të kthejnë përgjigje më lehtë. Ky është test orientues pra varësisht nga rezultati nxënësi orientohet në arsimin e mesëm të lartë, nuk ka prag të kalueshmërisë. Testi është i bazuar ne kurikulë”, ka thënë Pylla.

Zëdhënësja e MASHT-it, ka sqaruar edhe rregullat që duhet të respektohen në testit e arritshmërisë.

“Ditën e testimit të gjithë nxënësit duhet të marrin me vete laps, meqë përgjigjet do të lexohen në mënyrë automatike nga lexuesi optik. Nxënësit e kanë të ndaluar të marrin me vete telefon, apo çka do qoftë që mund të përdoret për komunikim, qasje në internet, fotografim, kopjim, shpërndarje apo për ndihmë tjetër gjatë mbajtjes së Testit”.

Ajo ka apeluar se, “kushdo që merr me vete pajisje apo mjete të tilla nuk do të lejohet të futet në Qendrën e Testimit”.

Testi i arritshmërisë të organizohet online

Drejtori i Organizatës “EdGuard”, Rinor Qehaja, në bisedë për Albanian Post ka thënë se ka edhe mënyra të tjera për mbajtjen e këtij testimi.

“Avokoj shumë që testi i arritshmerisë të organizohet online pa pikëzim zyrtar, por me pikë orientuese për nxënës, si udhërrëfyes për rrugëtimin ne karriere”, ka thënë Qehaja për AP.

Ai pohon se nuk duhet të luaj rol kryesor ky test në pranimin e nxënësve në shkollë të mesme.

“Duhet të e kuptojmë që testi i arritshmërisë ka karakter orientues, nga ligji për arsimin parauniversitar organizimi i tij mund të jetë i obligueshëm, mirëpo jo marrja parasysh e tij si kriter për pranim në shkollimin e mesëm të lartë”.

Ilustrim: Testi i Arritshmërisë.

Qehaja shton se, “pranimi në shkolla të mesme të larta duhet të jetë subjekt i vlerësimit të brendshëm vetëm”.

Ndryshe, Testi i Maturës, i cili organizohet për nxënësit që përfundojnë klasën e 12-të në dy vitet e fundit në Kosovës është mbajtur vetëm me 100 pyetje.

Provimit të testit të Arritshmërisë, çdo vit i nënshtrohen nxënësit që përfundojnë klasën e 9-të, të arsimit fillor.

Përfundimi me sukses i këtij testi mundëson më pas aplikimin për zgjedhjen e studimeve në shkollë të mesme.

Gjithashtu, këtë vit për herë të tretë, Ministria e Arsimit, ka vendosur që Kosova t’i nënshtrohet testit ndërkombëtar për nxënësit, i njohur si PISA.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore